Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka folur për listat e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit dhe kandidimin e saj në Qarkun e Korçës.
E ftuar në emisionin “Real Story” në News 24, ministrja Xhaçka tha se zhvendosja e saj në Korçë, duke lënë Dibrën ku ishte më parë, nuk është bërë e imponuar, ndërsa shtoi se çdo lëvizje bëhet për të mirë të partisë në këtë proces zgjedhor.
“Jam në një detyrë të nderuar, që e kam pranuar me shumë përgjegjësi, një detyrë që e ushtronte vetë kryeministri. Jam shumë e privilegjuar për këtë mundësi. Sa i takon lëvizjes nga Dibra në Korçë, është shumë e natyrshme për mua. Karriera ime politike ka nisur nga kandimidi në Korçë, kam pasur dy mandate atje. Origjina ime është në Korcë. Pra është një kalim në origjinën time.
Nuk ishte aspak e imponuar. Është një proces që ka shumë diskutim, kryesisht mes drejtuesve politikë dhe kryetarit të partisë. Unë nuk kam shkuar në atë kohë në Dibër, por kam qenë drejtuese politike atje, e emëruar nga kryetari i partisë, për të sjellë riorganizim të strukturave tona atje. Kemi të identifikuar shumë personazhe, aktorë apo faktorë të rëndësihëm, përfaqësues për komunitetin e Dibrës, që pa asnjë siklet mund t’iu kalojmë stafetën sot për të përfaqësuar Dibrën dhe për të marrë rezultat të pritshëm.
Në këtë kuptim, rikthimi im në Korcë është i natyrshëm. Ka qenë produkt i një diskutimi mes meje, kryeministrit, strukturave të partisë. Të gjitha ndryshimet bëhen në funksion të punës. Tërheqja ime nga Dibra nuk erdhi e imponuar nga kryetari i partisë, dhe as nga mospranimi i strukturave vendore atje. Kemi bërë zgjidhjen më të mirë, për të pasur një rezultat më të mirë”, u shpreh ministrja Xhaçka.
E pyetur nga gazetari Balla nëse kanë lidhje me largimin e saj ngjarje që lidhen me Dibrën dhe ngjarje të caktuara me zgjedhjet lokale, ministrja u shpreh se:
“Shkurt dhe qartë, nuk kanë asnjë lidhje. Historia e dosjes së Dibrës dhe ish-kryetarit të bashkisë, sot drejtues politik i listës së PS, do të zgjidhet nga drejtësia. Dionisi është një përfaqësues shumë i mirë, gëzon respektin e dibranëve. Nëse do të isha në Dibër, s’do të isha as tek objektivi bazë, por te maksimali. Pra, do të isha e treta në listë. Nëse Dibra ka marrë 2 mandate në zgjedhjet e shkuara, këtë radhë ne do të marrim tre dhe unë do të isha e treta në listë. Ne kemi rënë dakord në tryezën e PS që padiskutim ata që kanë pasur besimin më të madh nga strukturat e partisë, kanë përgjegjësinë më të madhe për të bërë më shumë, për të marrë maksimumin e mundshëm, për të përfaqësuar ata që na votojnë”.