Dorëheqjet në BDI sjellin përplasje mes LSDM dhe VMRO

Shumica kërkon nga opozita maqedonase t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese për shkak se janë plotësuar kushtet të cilat sipas tyre vetë Hristijan Mickoski i ka kërkuar.

Nga LSDM-ja thonë se me dorëheqjen e ministrave të BDI-së, VMRO-DPMNE-ja është një hap larg pjesëmarrjes në Qeverinë e cila do t’i organizonte zgjedhjet e parakohshme. Para kësaj, opozita duhet të voton për ndryshimet kushtetuese.

“Janë plotësuar të gjitha kushtet e parashtruara nga Hristijan Mickoski personalisht për ndryshimet kushtetuese. Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja munden menjëherë të bëhen pjesë e Qeverisë pa BDI-në dhe më pas të organizohen zgjedhjet e parakohshme. Gjithçka që duhet të bën VMRO-ja dhe Mickoski është që të kyçen në proces dhe t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese”, deklaroi Darko Kaevski, zëdhënës i LSDM-së.

VMRO-DPMNE-ja këtë veprim të pushtetit e cilëson lojë për blerje kohe deri në zgjedhjet e rregullta. Sipas opozitës maqedonase, pushteti është i vetëdijshëm se nuk ka numra për ndryshimet kushtetuese dhe për këtë arsye po manipulon me dorëheqje dhe garanci të pabaza.

“Kjo është taktikë e BDI-së dhe LSDM-së për të blerë kohë që zgjedhjet e parakohshme të shtyhen në zgjedhje të rregullta dhe të panevojshme. Maqedonia çdo ditë e më tepër mbytet në kriza dhe këtë më së shumti qytetarët do të ndjejnë në vjeshtë dhe dimër”, tha Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Dorëheqjet e ministrave të BDI-së do të mbeten në arkivin e Qeverisë derisa organi ekzekutiv ndodhet në pushim kolektiv. Në arsyetimet e dorëheqjeve kabineti qeveritar i BDI-së ka kushtëzuar largimin e tyre me miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Referuar Kushtetutës, Ligjit mbi Qeverinë dhe Rregulloren për punën e Kuvendit, dorëheqjet e kushtëzuara nuk janë të parapara në asnjë dispozitë. /Alsat.mk


Shtuar 3.08.2023 15:40