Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar ditën e sotme një videomaterial, ku sipas tij vërehen lëvizjen me makina të anëtarëve të grupit kriminal Bajraj, në Shkodër ditën e zgjedhjeve.
Ai tha se mandati i fituar në Shkodër, është mandat i grupit Bajraj, dhe terrorit që ata kanë bërë ditën e votimit.
Berisha: Ne ju paraqesim ju, terrorin që ata ushtruan më 14 maj, në qytetin e lirisë, në qytetin e Shkodrës, për të grabitur mandatin e qytetarëve të Shkodrës.
Berisha, e ka cilësuar dokumentarin, i cili zgjat 24 minuta, si horror.
Berisha: Më falni, harrova të them se përveç Beharit dhe Denisit, Safeti edhe ai u nxor nga burgu menjëherë, se kishte pasur qëndrim të mirë, dhe u dërgua te banda para zgjedhjeve.
Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri tha se në Shkodër kishte çdo gjë, por jo votim. Ai shtoi se nuk do ta pranojnë kurrë mandatin e shkodrës, i cili u fitua nga Benet Beci, pasi është mandate i Bajrëve.
Berisha: Ne u deklarojmë shqiptarëve dhe në radhë të parë qytetarëve të Shkodrës, se motiv themelor për betejën tonë pa kthim, është rikthimi i votës së lirë, vota e qytetarëve pa terror të bandave kriminale, vota pa blerje masive të votës, vota e qytetarëve shqiptarë, njëlloj si qytetarë të vendeve të lira. Është një betejë jo e lehtë, por është betejë që ne e fitojmë.
Më tej, ai hodhi akuza se policia dhe Bajrët janë një, pasi një makinë policie i shoqëronte këta të fundit në ditën e zgjedhjeve.
Berisha: Kamerat nuk janë në asnjë mënyrë të policisë. Policia dhe Bajrët janë një. Ju e patë që policia i shoqëronte. Një makinë policie ishte me ta. Janë filmime të ofruar anga njerëz me guxim që kanë dashur të ndihmojnë, të bëjnë transparencën. Nuk janë të policisë, policia ishte me ta. Sepse Bajrët janë një strukturë parashtetërore, e cila mbështetet direkt nga kryeministri. Ka lidhje direkte intensive me Taulant Ballën./albeu.com