Dy shqiptarë janë arrestuar në ishullin grek Mikonos pasi akuzohet se janë pjesë e një rrjeti që trafikon kokainë. Sipas mediave greke gjithçka nisi në portin Rafina në Athinë ku u lokalizua një vajzë flokëkuqe 19-vjeçe me sjellje të dyshimtë e cila i hipi tragetit për në Mykonos, ndërsa nga kontrolli iu gjet 207 gr kokainë.
Vajzën e ndoqën agjentët deri në hotelin ku kishte planifikuar të qëndronte. Pasi arriti ajo komunikoi me drejtuesin e grupit nga burgu që pseudonimin e kishte “doktori i kokainës”, i cili për t’u siguruar që ishte vetëm i kërkoi që telefonata të ishte me video.
Më pas i kërkoi që të zbriste poshtë hotelit për të dorëzuar “zonjën e bardhë”, vajza u bind dhe doli. Jashtë ishte një “Fiat” i bardhë me dy shqiptarë brenda që po e prisnin. Njëri prej tyre zbriti dhe iu afrua vajzës dhe sapo kokaina ndryshoi duar, agjentët e mbërthyen.
Shqiptari tjetër që drejtonte makinën shtypi gazin, por në tentativë për t’u arratisur u bllokua.
Në njërin nga celularët e tyre u gjetën udhëzimet e udhëheqësit të madh me pseudonimin “doktori”. E ndërsa të arrestuarit kanë kyçur gojën, hetimet vazhdojnë për të zbuluar kush është “doktori i kokainës” që komandonte nga burgu famëkeq i Korydallos.