Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një ditë më arë në qytetin e Korçës, pasi një 74-vjeçar ka marrë peng një avokate, pasi ishte i pakënaqur me mënyrën se si po shkonte çështja e tij.
Burime për AlbEu.com bëjnë me dije se ditën e djeshme 74-vjeçari Nikollaq Çango, ka marrë peng për rreth katër orë avokaten Entela Dvorani në zyrën e saj.
Bëhet e ditur se në momentin që ai ka mbërritur në zyrën e Dvoranit, filloi t’i kërkonte llogari mbi ecurinë e një procesi gjyqësor për të cilën përfaqësuese kishte zgjedhur këtë avokate.
Burimet theksojnë se çështja me karakter civil ka 5 vite në Gjykatën e Lartë dhe kjo ka krijuar indinjatën tek i moshuari duke e shtyrë deri në aktin e pengmarrjes.
Menjëherë pas denoncimit të avokates, blutë e Korçës kanë sekuestruar armën e të moshuarit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. Ç., banues në Korçë, pasi dyshohet se ka kanosur me një armë sportive (pistoletë pneumatike) dhe i ka hequr lirinë në zyrën e saj, një avokateje, të cilën ky shtetas e kishte përfaqësuesen e tij ligjore në disa procese gjyqësore të zhvilluara për çështje pronësie”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, në një intervistë për mediat, avokatja Entela Dvorani ka rrëfyer momentet nën kërcënimin e armës, duke treguar se i moshuari e kishte kërcënuar me jetë.
Sipas saj 74-vjeçari ishte në një gjendje të rënduar psikologjike, aq më tepër që për një periudhë të gjatë kohore nuk i është caktuar në Gjykatën e Lartë asnjë datë për shqyrtimin e çështjes, në një kohë kur prona e tij është e zaptuar.
“Secili nga ne është i pambrojtur. Pas pandemisë njerëzit më duket, ose është vërtetë kështu kanë pësuar një çrregullim mendor. Ai kërkoi nga unë dje me pistoletë që të bëja një kërkesë siç donte ai, që një avokat nuk e bën.
E kishte bërë vetë, e kishte bërë në Gjykatë Administrative gjyqtari me të drejtë duke i thënë ai emrin tim ma dërgoi edhe më tha Entela çfarë është kjo? Sepse aty ishte një moment Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që sot është Agjencia e Kadastrës Shtetërore, kishin një kërkesë që konkludon prej vitin 2013 që nuk mund të hidhet më në gjyq, ai e kishte hedhur në emrin tim. Vinte dje dhe më thoshte shkruaj si të them unë se do t’i hedh trutë në erë. Në dorë kishte një armë e plotë, më goditi në gjoks tek dera, doja të dilja sepse ka ardhur katër orë dje këtu.