“Do rishikojmë ligjin për Komisionet Hetimore”, Rama-opozitës: E kanë kthyer aktivitetin e Parlamentit në një aktivitet p*rno

Në konferencën e sotme për shtyp, kreu i qeverisë, Edi Rama deklaroi se do të rishikojnë ligjin për komisionet hetimore.

Rama: Është koha që të rishikojmë ligjin për komisionet hetimore duke marrë parasysh eksperiencën e gjithë këtyre viteve dhe dështimet e panumërta të komisioneve në gjithë këto vite.

Kreu i qeverisë tha gjithashtu se nuk do të ngrihen më komisione hetimore që nuk janë në përputhje me ligjin dhe kushtetutën. Ai komentoi edhe situatën kaotike të krijuar nga opozita gjatë seancave të fundit plenare.

Rama: E kanë kthyer aktivitetin e Parlamentit në një aktivitet porno. Është e drejtë kushtetuese të ngresh komision hetimor, që me një numër firmash X, pakica të ngrejë një komision hetimor, por ama është po kaq e vërtetë që është e përcaktuar se si ngrihet një komision hetimor dhe si funksionin. Nëse kjo e drejtë kushtetuese do ishte pa limit, si e shpjegoni që gjykata kushtetuese ka nxjerrë si antikushtetuese komisionet që janë ngritur? Ka një rrugë për këtë, që është e përcaktuar, ka një ligj për këtë dhe ky ligj duhet riparë. Pse? Sepse GJK e ka lënë porosi për komisionet hetimore dhe porositë e Gjykatës Kushtetuese duhen zbatuar. Ligji i komisioneve hetimore është bazuar në modelin gjerman, por modeli gjerman është marrë dhe është shqiptarizuar duke i hequr elementë shumë të rëndësishëm që janë në ligjin gjerman./albeu.com 


Shtuar 24.11.2023 14:49