“Do jem mbi palët”, Presidenti Begaj: Forcat politike të mos e shohin si armike njëra-tjetrën

Në Shqipëri, presidenti Bajram Begaj thotë se forcat politike në vend, nuk duhet ta shohin njëra tjetërn si armike dhe se konfliktualiteti e gjuha e urrejtjes duhet t’I mbeten së shkuarës. Këto komente i bëri gjatë një interviste me Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti President! Së pari, faleminderit për mundësinë e kësaj interviste! Ju keni disa muaj që jeni në këtë detyrë. Praktikisht në këto 30 vjet ju jeni i dyti kryetar shteti, që vini nga radhët e ushtrisë. Sa i vështirë është kalimi nga një botë si ajo e ushtrisë me rregulla strikte në atë të politikës, ku rregullat shpesh shkelen, premtimet nuk mbahen?

Presidenti Bajram Begaj: Faleminderit për pyetjen! Besoj se ju këtë pyetje e ndani me shumë bashkatdhetarë të tjerë. Unë nuk kam kaluar nga ushtria në politikë. Unë kam kaluar nga një detyrë me përgjegjësi shtetëtore në fushën e mbrojtjes, si shef i Shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura, në një detyrë me përgjegjësi të lartë shtetërore në krye të Shtetit. Në seancën e Parlamentit, ku unë dhe u betova, thashë se këtë detyrë e konsideroj mision dhe do ta kryej mbi palët. Ushtrimi i funksionit tim si kryetar i Shtetit do të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Zoti President! Meqenëse edhe ju e përmendët fjalën tuaj në Parlament, ajo që kam vënë re është se në fjalimet tuaja të para ju i keni mëshuar shpesh nevojës që mes partive politike në Shqipëri të ketë dialog. Por në një vend si Shqipëri, ku përvoja tregon se politika është tejet e polarizuar, sa të vështirë e shihni që të arrihet ky paqtim mes forcave politike?

Presidenti Bajram Begaj: Në zbatim të funksionit tim si kryetar Shteti, dhe në respekt të Kushtetutës, unë do të jem mbi palët. Në çdo daljen time publike, edhe në Kuvend apo kudo, unë jam drejtuar me thirrjen që është koha që konfliktualiteti, gjuha e urrejtjes dhe e mërive partiake, opozicioni i fjalëve dhe jo i zgjidhjeve, fragmentarizimi i zgjidhjeve politike, duhet t’i mbeten të shkuarës. Është koha që të gjithë së bashku të punojmë për të ardhmen e këtij vendi, për të ardhmen e fëmijëve tanë. Duhet që të gjitha forcat politike të rigjejnë frymën e dialogut dhe të bashkëpunimit, ta shohin njëra-tjetrën jo si kundërshtarë apo armiq, por si kundërshtarë të bindjeve politike, me një mision dhe qëllim të përbashkët, përparimin e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, zoti President, për fat të keq, nuk janë të pakta rastet kur edhe një gjë e vogël, përdoret si shkas për një përplasje. Marr si shembull faktin që kur ju disa ditë më parë, duke iu referuar stigmatizimit të shqiptarëve jashtë vendit, e ngritët me shqetësim këtë çështje. Ky qëndrim i juaj u kritikua fort nga ajo pjesë e Partisë Demokratike, që dejtohet nga ish kryeministri Sali Berisha, duke thënë se ju po përdorni të njëjtën gjuhë të kryeministrit Edi Rama. Si u ndjetë kur dëgjuat këto sulme?

Presidenti Bajram Begaj: Unë nuk mund të bëj komente rreth deklaratave politike. E thashë, do të jem mbi palët. Në ushtrimin e funksionit tim do të respektoj dhe të zbatoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në Kushtetutë përcaktohet se Presidenti mbron interesat e kombit shqiptar, interesat e shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë dhe punojnë. Besoj se këtë e kam treguar me vepra. Në çdo takim, në çdo aktivitet, në çdo pritje, që ka organizuar Presidenti i Republikës, ka patur të ftuar nga gjithë forcat politike. Dhe këtë e kam bërë me vullnet të plotë për të batuar në mënyrë të saktë dhe drejtë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Është koha që gjuha e konfliktit t’ia lërë vendin përplasjes së ideve dhe zhvillimit të vendit.

Zëri i Amerikës: Duke qenë se tema e kësaj përplasje ishte çështja e emigracionit, kujtoj se një nga vizitat tuaja të para ishte në veri të vendit, në Has dhe Kukës, dy zona të prekura fort nga çështja e emigracionit dhe largimit të popullatë. Për ju, sa shqetësuese është kjo dukuri?

Presidenti Bajram Begaj: Globalizmi është një dukuri, e cila ka jo vetëm anët e veta të mira, por edhe anët e këqija, efektet anësore. Në fakt, çdo njeri nga ne, këtë mënyrë të shpejtë të komunikimit dhe ndërveprimit njerëzor e pranon, pavarësisht se ka sfida dhe vështirësi. Tashmë, qendra e veprimtarisë dhe zhvillimit të një individi, nuk është më lokale, por ajo mund të jetë kudo, në çdo skaj të botës. Për këtë, bazuar në liritë dhe të drejtat themelore të individit, çdo njeri ka të drejtë të zgjedhë se si do ta ndërtojë jetën dhe se ku do ta ndërtojë jetën e tij.

Mendoj se pasuria më e madhe e një kombi janë njerëzit e tij. Dhe për ne shqiptarët, janë shqiptarët. Ata shqiptarë që ne shohim përditë, se kanë arritur sukseset e tyre në fushat e shkencës, artit, kulturës, sportit. Por, siç e thatë edhe ju, me shqetësim konstatoj emigrim, largim nga vendi të profesionistëve dhe specialistëve, atë që në gjuhën e popullit, e quajmë largim të trurit. Me dhimbje e shoh dhe e ndjej largimin e çdo individi nga vendi, çdo familjari.

Është detyrë e institucioneve përgjegjëse, që të analizojnë situatën, të shikojnë gjetjen e mundësive dhe hartimit të politikave zhvillimore, të bëjnë reforma, që të gjithë njerëzit ta ndjejnë veten të qetë dhe komodë në Shqipëri, për ta ndërtuar jetën e tyre në Shqipëri. Duhet të mbështesim të rinjtë, jo me fjalë, por me vepra. Duhet të pranojmë dhe të zhvillojmë idetë e tyre. Dhe pse jo, të bëjmë që ata, ta ëndërrojnë dhe ta ndërtojnë jetën e tyre në vendin e tyre, në trojet e tyre.


Shtuar 20.01.2023 18:41