Djegia e flamurit serb në qendër të Tiranës, Beogradi notë proteste ambasadës shqiptare: Të ndiqen penalisht autorët!

Ministria e Punëve të Jashtme në Serbi njoftoi sot se i dorëzoi një notë proteste Ambasadës së Shqipërisë, në të cilën dënon ashpër aktin e djegies së flamurit kombëtar të Serbisë në sheshin qendror të qytetit.

Më 20 nëntor në rrjetet sociale u shfaq një video ku shiheshin tifozët e futbollit në Tiranë duke djegur flamurin e Serbisë në sheshin Skënderbej, pas ndeshjes me ishujt Faroe në kuadër të kualifikueseve të Euro 2024.

“Ne besojmë se ngjarje të tilla dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve, të cilat në vitet e fundit kanë arritur pikën më të lartë gjatë historisë së tyre të përbashkët shekullore”, theksoi Ministria.

Më tej Ministria tha se pret që institucionet kompetente të Shqipërisë të bëjnë gjithçka që munden për të identifikuar dhe ndjekur penalisht autorët e këtij akti.

Në notë shprehet pritshmëria që Shqipëria të informojë institucionet e Serbisë për këtë nëpërmjet kanaleve diplomatike brenda një periudhe të arsyeshme kohore./albeu.com


Shtuar 22.11.2023 09:26