Disfata e VV në zgjedhje, Sherifi: Arsyet e humbjes së Kurtit, nga posteri te premtimet “boshe” (VIDEO)

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë u zhvilluan në një atmosferë demokratike, pa incidente dhe me një pjesëmarrje të kënaqshme, por Lëvizja Vetëvendosje, e cila aktualisht ka pushtetin në nivelin qendror, nuk ka fituar ende asnjë komunë, ndërkaq që në 12 komuna do të garojë në balotazh.

Pedagogu Idaver Sherifi i ftuar në emisionin “Log.” me Endri Xhafon në ABC bëri një analizë se përse Vetëvendosje pësoi një “shok elektoral”. Ndër elementët që sipas Sherifit ndikuan që Vetëvendosje të marë këtë rezultat, janë fakti që nuk ka arritur të realizojë pjesën më të madhe të premtimeve me të cilat erdhi në pushtet si dhe çështja e reformimit të partisë, gjë që nuk ndodhi.

“Ka një specifikë Kosova dhe Vetëvendosja në vetëvete. Pavarësisht se janë larguar emra me peshë Vetëvendosja ka ngelur ajo që ka qenë. Kam pritur një rezultat më të dobët se kaq po të mos ishte rasti me çështjen e targave, për mua kjo ka ndikuar pozitivisht. VV erdhi me premtime të mëdha edhe për nga arsyeja se i bëri të gjitha partitë e estabilishmentit të tanishëm të humbisni, njerëzit prisnin që gjërat që nuk i shikonin te të tjerët t’i bënte Albin Kurti. Deri tani nuk është hedhur asnjë hap të tregojë se VV ka luftuar korrupsionin. Hapa ka por s’ka diçka të prekshme për popullin.

E para, VV ende s’ka arritur të realizojë pjesën më të madhe të atyre që ka thënë, për të cilat u votua. E dyta është çështja e reformimit të partisë dhe që në Kosovë dhe Maqedoni nuk ndodh vetëm po s’u ndryshuan liderat.

Memli Kransiqi tregoi se është një person që mund të sjellë ndryshim. Këto lëvizje dhe kjo frymë e re brenda partive dhe te LDK tregon se Kosova ka mundësi elektorati dhe pranon gjëra të reja. Në disa baza kemi ndryshim të elektoratit. Janë disa elementë të ndryshëm dhe elektorati i Kosovës ka reaguar ndaj ndryshimeve”, tha Sherifi.

Këtë rezultat Edith Harxhi e ka vlerësuar një ndëshkim nga ana e qytetarëve të Kosovës për Kurtin. Duke e quajtur një risi, Harxhi thotë se ky lloj rezultati ishte parashikuar nga sondazhet.

“Kjo është risia e zgjedhjeve. Nga sondazhet ishte parashikuar që do ishte ky lloj rezultati. E veçanta e zgjedhjeve vendore në Kosovë është se populli i Kosovës voton dhe kur është nevoja ndëshkon”, tha Harxhi.

Një mendin ndryshe ka studiuesi Enver Bytyqi i cili thotë se rezultati nuk ishte i pritshëm. Albin Kurti sipas tij u penalizua për shkak se në posteri shfaqej ai bashkë me kandidatin. Por edhe sepse nuk ka bërë fushatë aktive.

“Rezultati është pak a shumë i pritshëm për shkak se një parti duhet të ketë një zbritje nga kuota që ka pasur më parë. Edhe Kurti mendoj se i është shmangur populizmin. Kam vënë re se nuk është marrë me fushatën elektorale. Posterat kanë qenë të personalizuar dhe kjo e ka penalizuar. Realisht ai ska dalë në fushatë në mënyrë aktive. Osmani nuk është marrë me fushatën për shkak të pozicionit që ka. Adrimi I Osmanit me partinë ku ka aderuar për herë të parë dhe ku është rritur do ishte një shenjë positive për spektrin politik të Kosovës. E kam thënë dhe herë të tjera. Në Kosovë kemi figura të reja, 4. Këto janë të pakonsumuara dhe të pamarra peng”, shtoi ai.

Sipas rezultateve preliminare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në 17 komuna janë shënuar fitore të partive dhe 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë. Bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar pesë komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nga dy komuna, kurse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur fitore të qartë në asnjë komunë në raund të parë./Abcnews.al


Shtuar 18.10.2021 21:47