Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi ditën e sotme me fermerët në Derviçan të Dropullit, u ndal tek kriza energjetike dhe inflacioni.
Rama tha se çmimi i energjisë nuk u rrit, por qeveria “mbetet me dorë në zemër” se çfarë do të ndodhë në nëntor, pasi shifrat nuk janë mirë, ndërsa tha se vendet e tjera kanë paralajmëruar për shkurtime të furnizimit me energji, ndërsa shtoi se vendi jonë e përjashton këtë si mundësi.
Po ashtu Rama tha se të gjithë po paralajmërojnë për dimrin më të vështirë që nga lufta e dytë botërore.
Edi Rama: Vendosëm të mos rrisim çmimin e energjisë dhe sot po e mbajmë ende. Po nuk ra shi nuk mbushen ato hidrocentrale dhe nëse kjo nuk ndodh, është hall i madh. Tani po rrimë me dorën në zemër se çfarë do bëhet në nëntor, se faktikisht nuk janë mirë shifrat. Problemi është që mund ta lesh, por vjen një ditë kur s’ke fare ose ke pak dhe fillon shkurtimet, por ne i përjashtojmë shkurtimet si mundësi.
Dhe për të ardhur tek inflacioni dhe mbështetja, bëmë një paketë por nuk mjafton, ishte tre muaj, iku u harrua, vera solli të ardhura të rëndësishme nga turizmi në zinxhirin ekonomik, por sot në çdo tryezë në takimet jashtë biseda kryesore është se po vjen dimri më i vështirë pas luftës së dytë botërore, sepse ky është basti që ka vënë ai Cari i Kremlinit, luftën e bën me Ukrainën por basti është të gjunjëzojnë Perëndimin, duke e detyruar të futet në një spirale pamundësie që nis me energjinë, por reflektohet tek çmimet.
Ne përveç fondit për të mos prekur çmimin, gjë që shumë kush nuk e ndjen se nuk preket dhe kur ia thua atë që nuk ndodh, natyra njerëzore nuk e merr në konsideratë, dhe politika është dhe të ndalojë atë që nuk duhet të ndodhë, dhe kështu shumëkush fillon dhe flet broçkulla…