Rreth 200 rrënjë ullinjsh në pronësi të Pëllumb Pezgës janë djegur tërësisht pasditen e së enjtes.
Të mbjella prej 11 vitesh parcelat me ullinj ishin i vetmi burim të ardhurash për familjen Pezga. Ata tashmë bëjnë apel për ndihmë nga instancat shtetërore. Parcelat me ullinj ndodhen vetëm pak metra mbi aksin nacional Sarandë-Himarë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i zjarrit të ketë qenë një bisht cigareje. Për dy orë grupet e zjarrfikëses kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve të cilat ishin ndihmuar nga era dhe temperaturat e larta.
Një banor u shpreh për ABC se zotëria që kishte në pronësi ullinjtë ka pasur shumë probleme ne jetë dhe kjo që ndodhi do t’ia vështirësojë akoma më shumë situatën.
“I bëjmë thirrje kryetarit të bashkisë, instancave, zotëria ka pasur shumë halle në jetë. Ikjen e një fëmije si dhe këtu me mirëmbajtjen. Kemi kërkuar shumë herë nga shteti që të na bëjë dokumente…as bashkia e as ministria e bujqësisë. U bëjmë thirrje që të vënë dorën në zemër e ta ndihmojnë këtë zotërinë. Është krim i madh, i është djegur gjithë kjo pasuri. Ky zjarr është vënë qëllimisht se duket.”/abc news