“Dhimbja nuk e lejon të jetë i fortë”, pedagogu zbulon bisedën me babain e 7-vjeçares: Zoti ma mori, ishim dorë për dore

Pedagogu Bislim Ahmetaj në një postim në rrjetet sociale ka zbuluar bisedën rrëqethëse me babanë e 7-vjeçares, e cila vdiq tragjikisht ditën e djeshme në plazhin e Potamit pasi u përplas nga skafi. Ai shkruan se Bledari, babai i vogëlushes mundohet të tregohet i fortë, por dhimbja nuk e lejon.

“Ma mori Zoti, ishim dorë për dorë, pse e mori atë e s’më mori mua…. Vetëm se duhet të kisha vdekur unë dhe jo Jonada’, janë këto fjalët që babai ka thënë mes lotësh.

“Unë e ngushëllova Bledarin, babin e Jonadës.

Familja Avdia i ka hapur dyert dhe pret ngushëllime për humbjen tragjike që pësuan dje nga arroganca dhe papërgjegjshmëria e shtetit që vret fëmijë.

Jonada me sy të kaltër e cila dje po pllaquritej në Jon dorë për dorë me babi Bledarin është mbyllur në arkmort , mbi të derdhen përrenj lotësh që krijojnë detin e dhimbjes nga mami, gjyshja dhe dhjetra gra e vajza veshur me të zeza që lëvizin si magmë e zezë në oborrin e shtëpisë ku jeton gjyshi i saj.

Pak metra me tej në një kafe presin burrat. Aty s’ka gjamë, as vaj, veç sy të mbytur nga lotët dhe gulshe dhimbje. Shumë pak fjalë: Zoti ju forcoftë, Zoti ju dhashtë forcë dhe durim, shtrëngoni burra, Zoti e pastë marrë afër vetës e të tjera fjalë ngushëlluese të kësaj natyre.

Dhe përgjigjet e rëmta nga familjarët që presin në këmbë: Ju lumshin kambët, faleminderit që keni ardhë, në gëzime jua kthefshim…

Bledari i jati i Jonadës, mundohet të përmbahet, të bëj burrin e fortë të malsisë, por nuk e lejon dhimbja që i pëlcet në shpirt: Ma mori Zoti, ishim dorë për dorë, pse e mori atë e s’më mori mua.

Ta mori krimineli me uniformë, por s’ke ça me ba duhet me ba durim-ja kthej unë.

Ehhh- ofshan- Ja la Zotit, vetëm se duhet të kisha vdekur unë dhe jo Jonada- thotë mes lotësh Bledari që erdhi për të parë prindërit, të afërmit dhe për të pushuar në bregun e detit Jon, ku la shpirtin e tij.

E piva shpejt e shpejt atë kafe helm dhe ika i helmuar thellë në shpirt nga kjo tragjedi familjare, por jo vetëm.

Ajo është tragjedia e çdo familje, ajo është tragjedia jonë kombëtare që duhet ta ndalim me çdo formë, me çdo mjet.”

Vogëlushja vdiq pasditen e djeshme në mënyrë tragjike në plazhin e Potamit.  Ajo u përplas nga skafi që drejtohej nga Arjan Tase dhe humbi jetën në vendin e ngjarjes pa mundur të transportohej në spital.