DETAJET/ Po pinte kafe, kush është shtetasi që doli në skenë për vrasjen e Sofisë

Janë zbardhur detaje të reja nga vrasja e Behar Sofisë të ndodhur ditë më parë Tiranë dhe në skenë ka dalë edhe një person tjetër.

Burime bëjnë dije se është duke u punuar për një person të pestë për të cilin dyshohet se ka marrë pjesë në atentatin që i kushtoi jetën biznesmenit Behar Sofia disa javë më parë.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë në një bar-kafe në afërsi të Piramidës që korrespondon edhe me afërsinë që ka me banesën ku jetonte Sofia, është konstatuar se personi në fjalë, emri i të cilit ende është i pakonfirmuar, ka qëndruar për disa minuta me njërin nga personat e arrestuar për ngjarjen, konkretisht, Skënder Vathin.

Takimi nuk provon plotësisht përfshirjen e tij në ngjarje duke qenë se edhe Vathi ka mohuar të bashkëpunojë me drejtësinë ndërsa ekzekutori Ernejt Shytaj nuk konfirmoi njohjen me të. Ky i fundit ka pohuar para organeve të drejtësisë se personi që e ka kontaktuar për të kryer ekzekutimin përkundrejt pagesës është Xhuljano Visha i cili pretendon se edhe e ka bindur.

Për vrasjen e 66-vjeçarit Behar Sofia janë arrestuar 4 persona, ndërsa prokuroria tashmë ka edhe një të dyshuar të pestë, i cili rezulton se është takuar me Skënder Vathin rreth orës 07:40 të mëngjesit kur edhe është kryer ekzekutimi.

Rezulton se Vathi mbërrin aty në orën 07:25 minuta të mëngjesit ku vetëm pak kohë më pas, 54-vjeçari ulet në tavolinë me të dyshuarin e pestë. 10 minuta nga qëndrimi në tavolinë, rreth orës 07:40 minuta, i dyshuari duket në pamjet se i jep diçka, Skënder Vathit, i cili më pas largohet menjëherë nga lokali.

54-vjeçari Skënder Vathi, person me precedent penal u arrestua më datën 13 mars. Atij iu sekuestruan dy karta “sim”, si dhe automjeti tip “Fiat Punto”, me të cilin lëvizte, dhe kishte takuar personat e tjerë të arrestuar.


Shtuar 22.03.2021 17:32