E ndoqi 3 ditë me radhë para ekzekutimit, zbardhet vrasja dhe autori i Behar Sofisë

Policia ka zbardhur vrasjen e biznesmenit Behar Sofia në Tiranë. Burimet bëjnë me dije se tashmë janë 4 të arrestuar për ekzekutimin mafioz të Sofisë.

Burime bëjnë me dije se Policia ka mundur që të vërë në pranga ekzekutorin dhe tre prej bashkëpunëtorëve të tij, identitetet e të cilëve nuk bëhen me dije ende.

Ekzekutimi i Sofisë dyshohet se është kryer nga vrasës me pagesë, ndërkohë që ende nuk dihet se kush ka dashur ta eleminonte biznesmenin Sofia, i cili ka qenë i dyshuar dhe për trafikimin e heroinës nga Turqia drejt Shqipërisë.

Mësohet se personi që ka qëlluar me armë silensiator Sofinë është 23-vjeçari Ernejt Shyti, i cili u arrestua gjatë ditës së djeshme në Malin e Zi, dhe u soll drejt Tiranës, ku dhe është marrë në pyetje nga ana e Policisë.

Shyti e ka pranuar vrasjen, dhe është zbuluar nga gjurmët e ADN-së që kishte lënë në rroba. 23-vjeçari jetonte në një banesë me qera së bashku me nënën e tij në rrugën ‘Bardhyl’.

I riu e ka ndjekur 3 ditë me radhë Behar Sofinë dhe lëvizjet që biznesmeni bënte, nga shtëpia e tij.

Burimet bëjnë me dije se i përfshirë në këtë krim mafioz është edhe një shtetas shqiptar nga Kosova i cili dyshohet se ka mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e Behar Sofisë dhe prej më shumë se një muaji mbante nën vëzhgim viktimën.

 

 


Shtuar 13.03.2021 09:58