Detajet nga atentati në Elbasan: Vendi ku u ekzekutua Çaka nuk ka asnjë kamera

Janë zbardhur detaje të reja nga vrasja e Everest Çakës brenda në makinën e tij tip “Opel” në Elbasan.

Në vendin ku ka ndodhur vrasja nuk ka kamera të cilat mund të hedhin dritë në këtë ngjarje. Vetëm 150 metra larg vendit të ngjarjes është një banesë me kamera sigurie që mund të ndihmojë hetimet.

Nga ky atentat mbeti i vdekur 41 vjecari Everest Çaka, dhe mbeti e plagosur Silvana Çaka.

Në foton e bashkëngjitur lajmit, mund të shihni fotot e ciftit ndaj të cilit u bë atentat në Elbasan.

Viktima i atentatit të sotëm, Everest Çaka  është djali i tezes së Arjan Spahiut. Ky i fundit është ekzekutuar me 8 plumba në Bruksel në nëntor të 2020.

Spahiu është vëllai i kunatit të Erion Alibej, i arrestuar nga prokuroria e Elbasanit si person i dyshuar për urdhërimin e organizimit të dy vrasjeve.

Vrasja në Belgjikë

Ekzekutimi i 38 vjeçarit, Arjan Spahiu vitin e kaluar në Bruksel solli pak ditë më parë në Elbasan një grup hetuesish dhe prokurorësh belgë. Tre hetues, sëbashku me prokurorë dhe përfaqësues të ambasadës, kryen takime intensive me zyrtarë të lartë të policisë dhe prokurorisë në Elbasan.

Qëllimi ka qenë mbledhja e informacioneve për Arjan Spahiun dhe aktivitetin e tij në Elbasan dhe jo vetëm, të cilat mund të çojnë në zbardhjen e motive të ekzekutimit të tij. Grupi i hetuesve nga Brukseli qëndruan rreth katër ditë në Elbasan.

Spahiu u ekzekutua në një pritë mafioze në 28 nëntor në kryeqendrën e Europës. Ai u qëllua me armë zjarri sapo doli nga një lokal në zonën e Molenbek. 38 vjeçari ishte nën shoqërinë e mikut të tij, Florian Narazani. Viktima, ka qenë i akuzuar 11 vjet më parë si organizator i vrasjes se Gëzim Alikajt, ngjarje e ndodhur në qytetin e Elbasanit, në afërsi të Urës së Zaranikës. /albeu.com/

 

 


Shtuar 11.05.2021 21:35