Detaje të reja nga sulmi me thikë në Dublin! Policia: Autori është irlandez

Kanë marrë kthesë hetimet pas sulmit me thikë në Dublin që shkaktoi një valë zemërimi te protestuesit, të cilët dogjën autobusë dhe makina policie.

Sipas policisë, autori që sulmoi dhe plagosi tre fëmijë dhe një grua 30-vjeçare jashtë një shkolle është një shtetas irlandez 40-vjeçar i cili ka jetuar në vend gjatë 20 viteve të fundit dhe jo një algjerian, ndërsa njeriu që e çarmatosi ishte një shofer brazilian Deliveroo (kompani britanike e shpërndarjes së ushqimit në internet).

Sipas rrjetit irlandez TheJournal.ie, “heroi” që mposhti sulmuesin është një emigrant 43-vjeçar nga Brazili, i cili po kalonte me motoçikletën e tij kur pa një të re të sulmuar nga një burrë me thikë.

“As që e kam menduar, ishte instinkt i pastër dhe gjithçka përfundoi në sekonda. Ai ra në tokë”, tha Caio Benicio për TheJournal.ie.

“Unë vetë kam dy fëmijë, ndaj më duhej të bëja diçka. Unë bëra atë që do të bënte kushdo. Njerëzit ishin aty, por nuk mundën të ndërhynin sepse ai ishte i armatosur, por e dija që mund ta përdorja helmetën time si armë”.

Benicio tha se tani po lutej për vajzën pesëvjeçare që pa të sulmuar. Ai gjithashtu tha për TheJournal.ie se ishte i trishtuar kur pa rebelë kundër emigrantëve në rrugë.

“Ata duket se i urrejnë emigrantët. Epo, unë jam një emigrant dhe bëra gjithçka që munda për të shpëtuar këtë vajzë të vogël.”

Sipas autoriteteve autori, i cili u arrestua, është një shtetas irlandez 40-vjeçar, i cili jeton prej 20 vitesh në vend dhe jo algjerian, siç u zbulua fillimisht.

Ngjarja e sulmit

Pak pas orës 13:00 (ora lokale) një burrë ka sulmuar me thikë të madhe fëmijët që po dilnin nga shkolla fillore.

Ai ka plagosur tre fëmijë, një vajzë pesëvjeçare e cila është në gjendje kritike për jetën, një vajzë gjashtëvjeçare që ndodhet në spital me lëndime të lehta dhe një djalë pesëvjeçar që ka dalë nga spitali.

E plagosur rëndë ka mbetur edhe një 30-vjeçare që punonte në shkollë. Dhe sulmuesi gjithashtu ndodhet në spital./albeu.com


Shtuar 24.11.2023 10:24