Partia Demokratike, ka ngritur akuza për mënyrën se si qeveria ka proceduar me projektin “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”, duke deklaruar se rreth 88.5 hektarë tokë shtetërore i janë vënë në dispozicion një kompanie private kundrejt tarifës 1 euro/kontrata dhe pa zhvilluar një proces konkurrues për përzgjedhjen e zhvilluesit.
Sekretarja e PD-së për Çështjet e Pronave dhe Luftën kundër Korrupsionit, Endira Bushati, kërkoi shpjegime dhe transparencë mbi administrimin e kësaj pasurie publike.
Të lidhura
None found
Sipas saj, më 11 shkurt 2026, Komiteti i Investimeve Strategjike i akordoi kompanisë “RAMS Albania” sh.p.k. statusin “Investim/Investitor Strategjik” për një projekt me vlerë të deklaruar 100 milionë dollarë dhe sipërfaqe totale rreth 158.2 hektarë.
PD thekson se në vendimin e KIS ishte përcaktuar nevoja për përditësimin e hartave kadastrale, përcaktimin e saktë të kufijve dhe statusit të pronave, si dhe mbylljen e procesit të konsolidimit të tokës përpara kalimit të pronës shtetërore në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike.
Deklarata e Sekretares për Çështjet e Pronave dhe Luftën kundër Korrupsionit në PD, Endira Bushati:
Partia Demokratike e konsideron të paligjshme dhe jotransparente procedurën e ndjekur nga qeveria për projektin “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”. Sipas PD-së, rreth 88.5 hektarë pasuri shtetërore janë dhënë në dispozicion të një subjekti privat me tarifën 1 euro/kontrata, ndërsa zhvilluesi është caktuar përmes një procedure jo konkurruese.
Më 11 shkurt 2026, Komiteti i Investimeve Strategjike i dha “RAMS Albania” sh.p.k. statusin “Investim/Investitor Strategjik” për një projekt që, sipas deklarimit, kap vlerën 100 milionë dollarë dhe shtrihet në rreth 158.2 hektarë.
Vendimi i KIS e bënte të qartë se duhej të përditësoheshin dhe saktësoheshin hartat kadastrale, kufijtë dhe statusi i pasurive. Po ashtu, ai parashikonte përfundimin e konsolidimit të tokës para transferimit të pronës shtetërore në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike.
Megjithatë, vetëm katër muaj pas këtij vendimi, më 30 qershor, qeveria kaloi në fondin përkatës 885,557.6 m² pasuri shtetërore në Vlorë, sipërfaqe që përkon me rreth 88.5 hektarë, për zbatimin e projektit.
Më 30 korrik, territori u shpall “Zonë e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”. Në të njëjtën kohë, u vendos që prona shtetërore të ofrohej me tarifën 1 euro/kontrata dhe “RAMS Albania” u përcaktua si zhvillues përmes një procedure jo konkurruese.
Partia Demokratike kërkon përgjigje për këto çështje:
1-A ishin mbyllur verifikimet dhe konsolidimi kadastral përpara transferimit të pasurisë?
2-Përse 88.5 hektarë pasuri shtetërore u dhanë pa u zhvilluar një procedurë konkurruese?
3-Cili ishte vlerësimi ekonomik mbi bazën e të cilit u vendos tarifa 1 euro/kontrata?
4-Cili është përfitimi konkret që i vjen shtetit shqiptar?
5-A janë zbatuar të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë Komiteti i Investimeve Strategjike?
Sipas PD-së, shqetësimi shtohet edhe nga deklarata e Kryeministrit Edi Rama më 9 qershor, kur ai tha se ligji për investimet strategjike e kishte përmbushur misionin dhe se qeveria po bashkëpunonte me Bashkimin Europian për hartimin e një kuadri të ri ligjor.
Partia Demokratike njofton se do t’i drejtohet SPAK-ut për një hetim të plotë të gjithë procedurës, duke nisur nga dhënia e statusit strategjik, transferimi i pronës shtetërore dhe përzgjedhja pa konkurrim e zhvilluesit, deri te kushtet me të cilat pasuria publike është vënë në dispozicion.
PD vlerëson se prona publike nuk mund të trajtohet si pronë e qeverisë dhe të shpërndahet pa konkurrencë, transparencë e llogaridhënie.
Sipas deklaratës, çështja duhet të hetohet deri në fund. Partia Demokratike shprehet se, nëse vjen në qeveri, do të shqyrtojë të gjitha kontratat e dyshimta dhe ato që dëmtojnë interesin publik, duke vendosur në qendër transparencën, respektimin e ligjit dhe interesin e komuniteteve.
PD i lidh këto veprime me protestën që, sipas saj, ka mbajtur prej më shumë se 2 muajsh në shesh mijëra shqiptarë, të bashkuar nga sakrifica dhe përgjegjshmëria qytetare.
Partia Demokratike thotë se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit: Rama, jepe dorëheqjen!
