Një vëzhgim i ri i realizuar me Teleskopin Diellor Inouye ka sjellë pamje të sipërfaqes së Diellit me një qartësi të paarritur më parë. Në fotografi janë identifikuar për herë të parë vorbulla të fuqishme, të cilat lidhen drejtpërdrejt me formimin e motit hapësinor.
Të lidhura
None found
Teleskopi, i konsideruar më i fuqishmi në botë për studimin e Diellit, ndodhet në majat e Havait. Gjetjet e ekipit kërkimor janë publikuar në revistën shkencore Nature.
Shkencëtarët shpjegojnë se këto struktura krijohen kur gazrat jashtëzakonisht të nxehtë ndërveprojnë me fushën magnetike të Diellit. Përmes kësaj lëvizjeje mblidhet energji magnetike, e cila mund të çlirohet më vonë si shpërthim diellor ose si nxjerrje masive plazme drejt hapësirës.
“Dielli është burimi i gjithë kësaj energjie dhe i motit hapësinor,” deklaroi Dr. David Boboltz nga Observatori Kombëtar Diellor i SHBA-së (NSO). Ai tha se imazhet me rezolucion tepër të lartë mund t’u japin studiuesve mundësi ta kuptojnë më qartë këtë proces dhe, në të ardhmen, të parashikojnë fenomene të tilla.
Rëndësinë e zbulimit e nënvizoi edhe astronomi Dr. David Kuridze. “Këto lëvizje rrotulluese krijojnë energji magnetike, e cila mund të grumbullohet dhe të shkaktojë shpërthime të mëdha,” u shpreh ai.
Procesi i regjistruar nga teleskopi njihet si paqëndrueshmëria Kelvin-Helmholtz. Ai shfaqet kur dy shtresa fluide, në këtë rast gazra shumë të nxehtë, kalojnë pranë njëra-tjetrës dhe formojnë vorbulla në trajtë spiraleje.
Një dukuri e ngjashme mund të shihet edhe në oqeane, ku lëvizje të vogla të valëve mund të zhvillohen më pas në dallgë të mëdha.
Sipas studiuesit Dr. Friedrich Woeger, zbulimi ndihmon në kuptimin e mekanizmave që prodhojnë motin hapësinor, por mund të japë gjithashtu përgjigje për arsyen pse atmosfera e jashtme e Diellit ka temperatura shumë më të larta se sipërfaqja e tij.
“Kur mjaftueshëm energji grumbullohet në shtresat e sipërme, ajo mund të çlirohet në formën e një shpërthimi diellor ose të një nxjerrjeje koronale të masës,” shpjegoi ai.
Pasojat e motit hapësinor mund të ndihen drejtpërdrejt edhe në Tokë. Shpërthimet e fuqishme diellore janë në gjendje të prekin rrjetet elektrike, satelitët, sistemet e komunikimit dhe ato të navigimit, ndërsa mund të përbëjnë rrezik edhe për astronautët që ndodhen në hapësirë.
Për studiuesit, rëndësia e këtij zbulimi nuk kufizohet vetëm te ndikimet praktike. Dielli mbetet laboratori natyror më i afërt për kërkimin e ligjeve themelore të fizikës.
“Është ylli ynë më i afërt dhe na ndihmon të kuptojmë disa nga ligjet bazë të universit,” tha Dr. Boboltz. Ai kujtoi se edhe prova e parë eksperimentale e teorisë së relativitetit të Albert Ajnshtajnit u realizua falë vëzhgimeve të një eklipsi diellor. /BBC
