“Deizi Arapi me ka kërcënuar dhe provokuar”, Marsel Buci flet pas pezullimit të shefit të komisariatit Devoll: Më goditi, ishte i dehur

Djegia e makinave ka rikthyer sërish sherrin mes Marsel Bucit dhe Dieizi Arapit, të cilët akuzojnë njëri-tjetrin.

Mbrëmjen e djeshme të dy janë shoqëruar në komisariat, ndërsa mësohet se Buci, ka denoncuar shefin e krimeve të komisariatit Devoll, Pashk Syziu, për dhunë dhe ky i fundit është pezulluar tre ditë nga puna.

Pas ngjarjes ka folur Marsel Buci, i cili ka thënë se është shoqëruar pas kafes që ka pirë me Deizi Arapin, për të cilën pretendon se e ka kërcënuar dhe provokuar. Më pas, thotë ai, e kanë shoqëruar në komisariat ku dhe është dhunuar dhe se Syzia ishte i dehur. “Ndihem i pasigurt” ka thënë ndër të tjerë Buci.

“Mbrëmë kam dalë për kafe dhe jam konfliktuar me fjalë me Deizi Arapin e cila me ka kërcënuar dhe provokuar që unë ta godisja por nuk kam reaguar. Pas debatit më njoftuan nga familja që policia po më kërkonte në shtëpi, erdha në banesë dhe më shoqëruan në komisariat. Atje, në zyrën e shefit të krimeve, ku ishte prezent edhe një punonjëse policie, shefi i krimeve pa asnjë shkak më ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit me grushta dhe shkelma. Nuk kam reaguar dhe kam qëndruar i qetë derisa hyri në zyrë një tjetër punonjës policie i cili e qetësoi situatën. Më pas shkoj te drejtoria e policisë dhe bëj denoncimin në AMP. Ndihem i kërcënuar, jam shumë i prekur nga kjo situatë dhe ndihem i pasigurt dhe jo i qetë. Në komisariat mbrëmë mbërriti edhe avokati im, dhe deputeti i Bilishtit Bledjon Nallbati”, ka thënë Buci.

Nga ana tjetër, në një komunikim telefonik me shefin e krimeve Pashk Syziu, ai mohon kategorikisht akuzat, duke thënë se nuk janë të vërteta dhe se ka deshmitarë në zyrë që e vërtetojnë këtë gjë. Po ashtu edhe për akuzat e Marsel Buccit që shefi ka ofenduar Bledjon Nallbatin, edhe kjo mohohet nga ana e shefit të krimeve.

Tashmë priten të përfundojnë hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen./albeu.com


Shtuar 23.10.2022 13:30