Një mjet lundrues me tetë persona në bord u vu në rrezik në detin pranë Spillesë, pasi pësoi avari në motor dhe nisi të mbushej me ujë.
Ngjarja u regjistrua rreth një milje larg bregut, në drejtim të Forsilukut. Gjatë patrullimit dhe monitorimit të hapësirës detare, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare vunë re skafin në vështirësi, pasi kishin marrë edhe njoftimin se ai po kërkonte ndihmë.
Të lidhura
None found
Në mjet ndodheshin drejtuesi dhe shtatë familjarë të tij. Defekti i motorit kishte shkaktuar futjen e ujit në skaf, duke krijuar rrezik për fundosjen e tij.
Efektivët ndërhynë menjëherë për të nxjerrë personat nga situata e rrezikshme. Ata u dhanë ndihmën e nevojshme të tetë personave dhe e tërhoqën skafin drejt bregut, ku mjeti u nxor në zonën e Karpenit.
Pas shpëtimit, të gjithë personat në bord rezultuan në gjendje të mirë shëndetësore. Ata shprehën mirënjohjen për punonjësit e Policisë për ndërhyrjen dhe asistencën e ofruar.
Kontrollet e kryera pas incidentit konfirmuan se skafi ishte i pajisur me dokumentacion të rregullt, ndërsa drejtuesi kishte leje drejtimi për mjetin lundrues.
