Dëshmia e Nuredin Dumanit, vrasësit me pagesë që tani është bashkëpunëtor i drejtësisë, vazhdon sot me dyer të mbyllura në Gjykatën e Posaçme në procesin gjyqësor “Plumbi i Artë”.
Gjatë kësaj seance, Dumani është përballur me tone të ashpra nga të arrestuarit, të cilëve u ka rrëfyer se ka kryer krime në bashkëpunim me ta. Gentjan Sharra, një prej tyre, ka pretenduar se në kohën kur e implikon Dumani, ai kishte bizneset e tij, kishte fituar tenderë prej 2 milionë eurosh dhe posedonte një automjet 50 mijë euro.
Ai ka vënë në dyshim nevojën e Dumanit, për të marrë pjesë në një grabitje për të fituar disa mijëra euro, të cilat do të ndaheshin.
Po ashtu, Petrit Qoli, një tjetër i arrestuar, ka thënë se është mbajtur në arrest për tre vjet për shkak të deklaratave të Dumanit dhe se kjo ka lënë jashtë një grua që ai e dashuron.
Ndërkohë, Enver Diva i ka kërkuar gjykatës që, pas përfundimit të dëshmisë së Dumanit, e cila po kontestohet nga të arrestuarit dhe avokatët, gazetarët të lejohen në sallë për të raportuar versionin e tyre.