Dallëndyshe Bici refuzoi mandatin, Plarent Ndreca do të zërë vendin e Ahmetajt

Drejtoresha e Agjencisë së Kadastrës, Dallëndyshe Bici, e cila garoi në Zgjedhjet e 25 Prillit të vitit 2021, në listën për deputete të Partisë Socialiste, ka refuzuar marrjen e mandatit të deputetit, pas largimit të Arben Ahmetajt si deputet i PS-së në Tiranë.

Përmes një shkrese drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Bici thekson se refuzimi ka të bëjë me vijimin e detyrës së saj në Kadastër.

“Nga sa më sipër, ju bëj me dije se nuk do të vijoj procedurat ligjore përkatëse për marrjen e mandatit të deputetit në Kuvendin e Shqipërisë, për shkak të angazhimit tim në detyrën funksionale që ushtroj aktualisht në institucion qendror”, shkruhet në shkresë.

Në vend të Arben Ahmetajt, në parlament do të ulet Plarent Ndrecaj.

Dallëndryshe Bici, e cila ishte në radhë pas Ahmetajt, ka refuzuar që të marrë mandatin, e për pasojë i hapet rruga juristit Ndrecaj, që renditej i treti në listë.

Ndryshe nga Dallëndyshe Bici, Plarent Ndreca, mësohet se nuk do ta refuzojë mandatin e deputetit.

“Nëse KQZ do më njoftojë pa asnjë dyshim dhe mjaft i nderuar do e pranoja, patjetër”, mësohet të jetë shprehur Ndreca.

Që prej 6 janarit, Arben Ahmetaj, nuk ka më mandat deputeti.

Ish-zëvendëskryeministri tashmë në arrati prej gati gjashtë muajsh, për aferën e Inceneratorëve.


Shtuar 11.01.2024 11:38