Cilat ministra do të ndryshohen me rikonstruimin e Qeverisë Zaev 2?

TV21 nga burime partiake mëson se partnerët e koalicionit LSDM dhe BDl në fund të majit planifikojnë rikonstruim të Qeverisë.

Pas telasheve brenda partiake, pritet që në LSDM rikonstruimi të reflektojë udhëheqësinë e re që pritet të emërohet në kongresin e 16 majit. Të njëjtat burime informojnë se edhe në Bashkimin Demokratik për Integrim pritet të ketë rikonstruim, me qëllim përgatitjes së terrenit për zgjedhje lokale.

Të lidhura

None found

Jo zyrtarisht Televizioni 21 mëson se 2 ministra aktual mund te propozohen për ambasadorë. Gjithashtu mund të ketë edhe rokadë dikasteresh mes LSDM-së dhe BDl-së. Nuk përjashtohet as mundësia që Lëvizjes Besa t’i merret ministria e Bujqësisë dhe t’i ofrohet ndonjë ministri më e vogël ose ndonjë drejtori.

Socialdemokratët mohojnë se po mendohet për rikonstruim të eksekutivit.

“Tani për tani në LSDM nuk mendohet për rikonstruim të Qeverisë, bashkëpunimi me BDl-në dhe me të gjithë partnerët e tjerë të koalicionit është në nivel. Zgjidhjet kadrovike për pozitat udhëheqëse në ministri dhe institucione janë përgjegjësi e Qeverisë, për çdo ndryshim të ri, opinioni do të njoftohet nga Qeveria”, thonë nga LSDM-ja.

Edhe nënkryetarja e BDl-së, Teuta Arifi, mbrëmë në ClickPlus u shpreh se nuk mendohet diçka e tillë.

“Në këtë moment nuk është menduar për përmirësim ose ndryshim të kabinetit. Në komunikimin që kam pasur edhe me kryetarin e partisë, nuk është menduar një gjë e tillë”, u shpreh Arifi.

Po edhe krahas mohimeve që bëhen nga dy partitë më të mëdha në pushtet, TV21 nga burime të tij mëson se një kryetar aktual komune i BDl-së mund të propozohet për ministër në ekzekutiv.

Ka shanse të shqyrtohet edhe opsioni i ndërrimit të Ministrisë të Financave me ndonjë ministri tjetër. Në raste se anketat janë në favor të Florin Besimit për kryetar të Tetovës, BDl do të duhej ta tërheqë ministrin e financave Fatmir Besimin, shkaku i konflikt interesit.

Në BDl shqyrtohet edhe mundësia qe përmes këtij rikonstruimi të vendoset paqe ne Degën e Çairit deri pas zgjedhjeve lokale. Nga ana tjetër, burimet tregojnë se LSDM nuk do të heq dorë nga përpjekjet për ta bindur Alternativen e Afrim Gashit që të bëhet pjesë e Qeverisë, duke i ofruar udhëheqje të institucioneve, me qellim krijimin e një shumice stabile.


Shtuar 28.04.2021 23:57