Gjashtë luftanije ruse janë nisur nga Deti Mesdhe drejt Detit të Zi për të kryer ushtrime, citohet të ketë thënë të martën Ministria e Mbrojtjes e Rusisë. Kjo ministri tha se ky veprim ka qenë lëvizje e paraplanifikuar e burimeve ushtarake.
Sipas një dëshmitari të agjencisë “Reuters”, tri luftanije ruse kaluan nëpër ngushticat turke drejt Detit të Zi të martën. Burimet turke thanë se tri luftanije të tjera pritet të kalojnë nëpër vijën e njëjtë të mërkurën.
Në mesin e luftanijeve janë “Korolev”, “Minsk” dhe “Kaliningrad”, të cilat kaluan nëpër Ngushticën e Bosforit të martën, ndërsa luftanijet “Pyotr Morgunov”, “Georgy Pobedonosets” dhe “Olenegorsky Gornyak” pritet të kalojnë andej të mërkurën.
Ligjërisht, Turqia, e cila është anëtare e NATO-s, do të mund t’i mbyllte ngushticat e saj për kalimin transit të anijeve, nëse Rusia do të ndërmerrte ndonjë veprim ushtarak kundër Ukrainës, shkruan Reuters.
“Turqia është e autorizuar që t’i mbyllë ngushticat për të gjitha luftanijet e huaja në kohë lufte ose kur kërcënohet me agresion. Gjithashtu, ajo është e autorizuar që t’ua refuzojë kalimin transit të gjitha anijeve tregtare që u përkasin shteteve që janë në luftë me Turqinë”, tha Yoruk Isik, analist gjeopolitik dhe drejtor i kompanisë konsultative “Bosphorus Observer”.
Turqia, e cila ka kufi detar në Detin e Zi edhe me Ukrainën, edhe me Rusinë, ka thënë se konflikti ushtarak do të ishte i papranueshëm dhe i ka thënë Moskës se pushtimi i Ukrainës do të ishte veprim jo i mençur./Express