Çfarë është ajo që ndodhi në Elbasan dhe cili ishte shkaku?

Nga FITIM ZEKTHI

Ngjarja e rëndë e Elbasanit po trajtohet në mënyrë të pamoralshme nga mediat nga një pjesë e rëndësishme e gazetarëve dhe pa diskutim nga Policia dhe Prokuroria. Ajo ngjarje është në të vërtetë thelbi i asaj që përfaqëson dhe që është qeverisja në Shqipëri.

Kur erdhi në pushtet në vitin 2013, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, përmbylli një transformim të Partisë Socialiste, të cilin e kishte nisur pak kohë më parë. Nga një parti socialdemokrate, nga një qendër e majtë e qartë dhe e thekshme, e ngritur mbi atë që ishte Partia e Punës në vitin 1991 dhe që ishte drejtuar për gati dy dekada nga intelektualë që kishin qenë periferi e Partisë së Punës, njerëz të palidhur me krimet e diktaturës, të papërfshirë në krimet e asaj kohe, Rama e ktheu atë në një organizëm apolitik, në qendër të të cilit u vunë tre komponentë.

Njëri, ai ideologjik, ishte një grup i shoqërisë civile që lëshoi mbi PS-në gjithë pigmentin e saj dhe e bëri atë të quhet Rilindja. Kjo vijë e hollë që u bë një nga komponentët që mori në dorë PS-në, largoi thuajse të gjithë drejtuesit e dikurshëm, intelektualët e thekshëm socialdemokratë të palidhur me krimet e komunizmit si: Rexhep Mejdani, Ylli Bufi, Luan Hajdaraga, Kastriot Islami, Namik Dokle, Maqo Lakrori, Bardhyl Agasi etj. dhe i zëvendësoi ata me njerëz që vinin nga organizata “Mjaft” ose nga organizata të tjera, të cilët nga pikëpamja ideologjike nuk ishin socialdemokratë, nuk ishin asgjë në të vërtetë, por shfaqeshin si social-liberalistë, si ultra liberalë, si neomarkistë dhe herë-herë si mbrojtës të socializmit demokratik.

Ky grup ka një përmasë populizmi, e cila më së shumti është nevoja që ata kanë ose kishin për të tërhequr vëmendjen apo për të fituar zemrat e mijëra socialistëve. Në thelb, ky grup me në krye vetë Ramën nuk beson në asgjë. Rilindja, ideologjikisht, është një instrument pushteti totalitar që mund të sillet herë si liberal, herë si ultraliberal dhe herë si marksiste dhe anarkiste. Në tërësinë e vet, nga pikëpamja e moralit, Rilindja është ultrarelativiste dhe ka neveri për vlerat e besimit në Zot apo religjionet. Ky grup me zemër i shkel me këmbë vlera të tilla si atdheu, kombi, islami, krishterimi, tradita, familja tradicionale, morali tradicional etj.

Komponenti i dytë i madh i asaj që u bë Partia Socialiste ishte një pjesë e rëndësishme e krimit, që vinte nga trafiku i drogës. Krimi që vjen nga trafiku i drogës, është më i fuqishmi kudo në botë, më i pasuri dhe me aksesin më të madh për dhunë. Ky komponent i dytë përbën një “marrëveshje me djallin” të kryetarit të PS-së, Edi Rama, dhe të Partisë Socialiste. Marrëveshja me djallin nënkupton një marrëveshje, në të cilën dikush i shet shpirtin djallit apo një subjekti të caktuar për përfitime materiale, pushtet, famë, bukuri etj. Është pak a shumë ajo që bëri Fausti me Mefistofelin, në të cilën Fausti i shiti shpirtin për disa kohë Mefistofelit, djallit, në këmbim të një pushteti dhe dijeje magjike që do t’i jepnin atij akses në botën e kënaqësive. Marrëveshje të tilla janë vdekatare, janë shkatërrimtare për personin që i bën. Personi që hyn në to, nuk del më. Rama e bëri një marrëveshje të tillë. Ai thirri të kandidonin, të bëheshin pjesë e ekipeve të tij politike, njerëz që vinin nga trafiku i drogës. Atëherë, një deputet i rëndësishëm i PS-së tha se kjo bëhej për “të ndaluar manipulimin e votave, sidomos në veri të vendit”.

Duke futur në vendimmarrjen politike, në Parlament, në bashki, në zyra të larta të shtetit njerëz që vinin nga kjo botë, Rama i shndërroi ata në komponentë bazë të asaj që ishte tashmë PS-ja. Me këtë komponent, vendi hyri saktësisht në atë që Douglas North (nobelist) dhe Barry Weingast e quajnë shoqëri me akses të mbyllur. Në shoqëri të tilla, grupet me potencial për dhunë, me pushtet për dhunë, marrin renta dhe privilegje nga qeveria në raport të drejtë me fuqinë e tyre për dhunë. Kjo gjë sjell harmoninë ose ekuilibrin brenda organizmit. Kështu, që të gjithë ata njerëz apo grupe që u thirrën nga Rama, u bënë pjesë e pushtetit dhe morën renta apo privilegje në raport me potencialin e tyre për dhunë. Pra, shkurt, marrin renta, privilegje në raport me fuqinë për të mbajtur në pushtet qeverinë, me fuqinë për të blerë vota dhe për të mundësuar mbijetesën dhe fuqizimin e pushtetit.

Komponenti i tretë është një pjesë e vogël e bizneseve të rëndësishme. Këto biznese ose janë ekzistuese ose krijohen nga e para, por ato shërbejnë si mekanizmi, me anë të cilit merret nën kontroll ekonomia kombëtare. Ato marrin leje dhe të mira publike, ato fitojnë tenderë dhe favore, ato marrin koncesione, ato ndërtojnë kulla etj. Këto biznese, herët apo vonë, do të përfshihen në përpjekjet për të mbajtur në pushtet qeverisjen dhe do të bëhen plotësisht pjesë e pushtetit dhe qeverisjes. Mes këtyre tre komponentëve do të krijohet një zonë e mjegullt, ku do të gjenden bashkë te njëri komponent edhe politikani i Rilindjes, edhe njeriu që ka lidhje me trafikun e drogës, edhe biznesmeni që merr leje, koncesione apo të mira publike.

Qeverisja, në njëfarë mënyre, ka arritur në pikën që funksionon vetëm me qëllimin e mbijetesës dhe mundësisht të fuqizimit të kësaj triade. Kjo triadë është PS-ja, kjo është qeveria.

Në terma praktikë, politika ka vdekur, ideologjia ka vdekur, ekonomia është në kontroll të triadës, mediat janë në kontroll të triadës, institucionet shuhen ose merren në kontroll nga triada. Policia dhe Prokuroria më së shumti kujdesen që triada të legjitimojë pushtetin dhe të mundësojë ta mbajnë atë pafund.

Në jetën e përditshme ka varfëri, ka papunësi, shërbimet, shkollat dhe spitalet përkeqësohen vazhdimisht. Kudo merr jetë një sistem politik që Cristopher Clapham i Cambridge-it e quan neopatrimonializëm. Në këtë sistem, njerëzit e zakonshëm, populli, gjendet i mbërthyer në një zinxhir kontrolli vertikal për bukën e përditshme, për vendin e punës dhe për gjithçka bazike. Një marrëdhënien klient-padron mbizotëron nga fshatari më i thjeshtë dhe më i dobët në fshatin më të humbur deri te Kryeministri, që është në majën e triadës.

Në kushte të tilla, kur organizma të tillë degjenerojnë kaq keq, kur uzurpojnë pushtete kaq të mëdha dhe tehuajësojnë gjithë politikën dhe qeverisjen, të gjitha fushat e tjera apo domenet e tjerë të jetës së vendit sillen ose detyrohen të sillen në terma të domenit qendror dhe të stërmadh, që është qeveria e drejtuar nga kjo triadë.

Kjo triadë që drejton Partinë Socialiste, regjimin neopatrimonialist dhe pushtetin, në të vërtetë, nuk ka asnjë Po nuk u kuptua se nuk është garë PS-ja me PD-në, po nuk u kuptua se vendi drejtohet nga triada, po nuk u kuptua se të jesh pjesë e krimit që blen vota dhe që mban armë pa leje është ndryshe nga të jesh qytetar patriot që ke armë me leje dhe mundohesh të ndalësh blerjen e votës, është e kotë. Shqipëria ka nevojë të kuptojë se triada është në zgjedhje dhe jo PS-ja. Triada është organizëm i lindur nga marrëveshja me djallin lidhje me Partinë Socialiste. Në zgjedhje nuk është opozita përballë Partisë Socialiste, por opozita përballë kësaj triade. Në kushte të tilla, komponenti i trafikut të drogës dhe i krimit të organizuar është në zgjedhje, garon për pushtet, por me mjetet që ka. Ky komponent nuk paraqet program, nuk paraqet ide, nuk jep llogari për mënyrën se si është qeverisur vendi në tetë vjet. Ky komponent përdor aksesin për dhunë për të marrë vota. Ky komponent blen, shantazhon, kërcënon, rreh, plagos dhe vret. Komponenti politik i triadës, Rilindja, e cila në thelb ka qenë edhe ajo apolitike që ditën parë, nuk ka fuqi t’i fitojë zgjedhjet. Vendi është rrënuar dhe mjeruar dhe dështimet janë kudo. Komponenti tjetër, biznesi klientelist, ai që ka marrë tenderët dhe lejet, koncesionet dhe favoret është në fushatë në mënyrën që ai di. Megjithëse ky komponent i fundit, për shkak të natyrës së tij, është duke e braktisur pjesërisht Ramën duke parë gremisjen e tij, por edhe dëmin që shkakton në afatgjatë triada edhe tek ata vetë.

Shkurt, zgjedhjet i ka rënë për barrë t’i fitojë komponenti i triadës që vjen nga trafiku dhe krimi. Elbasani është pika më e nxehtë pasi krimi është shumë i fortë dhe gara shumë e ngjeshur, qarku është vendimtar. Edhe qarqet e tjera janë po ashtu të rrezikuara nga triada. PD, në kushtet kur triada kontrollon Policinë dhe Prokurorinë, mediat dhe ekonominë, në kushtet kur ajo ka mbetur nga të vetmet fuqi në vend që nuk sillen në terma të domenit ka organizuar njerëz të ndershëm, ish-oficerë kurajozë dhe patriotë të ndalin blerjen votës nga krimi. Kjo është një përgjegjësi jetike e PD-së. PD duhet ta shohë këtë si akt kombëtar patriotizmi.

Në Elbasan, në një moment, komponenti i krimit në triadë dhe njerëzit e thirrur nga opozita u vunë përballë teksa krimi dyshohet se u kap me presh në dorë duke blerë vota. Krimi, nën sytë e drejtuesve të Policisë, me armë pa leje, me makinë pa targa, i kapur në flagrancë, debaton, kërcënon, qëllon. Njerëzit e tjerë, me armë me leje, burra të sprovuar në mbrojtje të ligjit, mbrohen, mbrojnë jetën dhe qëllojnë.

Shumë gazetarë, Policia, Prokuroria dhe të gjithë politikanët e qeverisë jo vetëm që i barazojnë palët (ku në fakt vetëm palë nuk ka aty), por thonë se opozita bëri krim, ngriti struktura paralele të paligjshme etj.

Po nuk u kuptua se nuk është garë PSja me PD-në, po nuk u kuptua se vendi drejtohet nga triada, po nuk u kuptua se të jesh pjesë e krimit që blen vota dhe që mban armë pa leje është ndryshe nga të jesh qytetar patriot që ke armë me leje dhe mundohesh të ndalësh blerjen e votës, është e kotë. Shqipëria ka nevojë të kuptojë se triada është në zgjedhje dhe jo PSja. Triada është organizëm i lindur nga marrëveshja me djallin.


Shtuar 23.04.2021 12:14