Emrin Wagner ka gjasë që do ta dëgjoni më shpesh këto ditë. Më poshtë po ju sjellim disa informacione që duhet t’i dini për të.
Grupi Wagner, i njohur zyrtarisht si PMC Wagner , e cilëson veten si “kompani private ushtarake”.
Grupi është identifikuar për herë të parë më 2014, kur i ka mbështetur forcat separatiste pro-ruse në lindje të Ukrainës.
Prej atëherë është rritur vazhdimisht.
Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë se Wagneri ka nisur të rekrutojë numër të madh ushtarësh më 2022, sepse Rusia e ka pasur problem që të gjejë njerëz për ushtrinë e saj të rregullt.
Rreth 80 për qind e trupave të Wagnerit, që kanë luftuar në Ukrainë, janë nxjerrë prej burgjeve, ka thënë Këshilli amerikan për Siguri Kombëtare, më herët gjatë këtij viti.
Në Ukrainë,Wagneri ka zhvilluar luftë të gjatë dhe shumë të kushtueshme, për të marrë kontrollin e qytetit të Bahmutit.
Sa real është kërcënimi i Wagner-it për të lëvizur drejt Moskës?
Më herët të shtunën, u shfaqën video që supozohej se tregonin shefin e Wagner Group Yevgeny Prigozhin duke kërcënuar se do të marshonte drejt Moskës nga qyteti jugor i Rostov-on-Don, për të cilin ai pretendon se tani është nën kontrollin e tij, shkruan BBC.
Por, teorikisht, a do të mund të arrinte ai në kryeqytet, apo është thjesht një shantazh i madh?
Pra, Prigozhin pretendon se ka 25,000 luftëtarë të armatosur nën komandën e tij. Shumica prej tyre janë përfshirë për muaj të tërë në luftime të ashpra në Ukrainën lindore.
Ditët e fundit, Prigozhin ka tërhequr trupat e tij në rajonet kufitare të Rusisë, duke përfshirë Rostovin dhe Belgorodin.
Por pjesa më e madhe e këtyre luftëtarëve janë aktualisht larg kryeqytetit rus.
Për të lëvizur atje, Prigozhin dhe njerëzit e tij do të duhet të përshkojnë qindra milje, duke kaluar rajonet ruse ku ekziston një regjim i veçantë “kundër-terrorizmi”
Raporte të pakonfirmuara thonë se një kolonë Wagner u godit të shtunën nga sulmet ajrore ruse në rajonin Voronezh, në gjysmë të rrugës për në Moskë.
Si Prigozhin ashtu edhe ministria ruse e mbrojtjes tani po u bëjnë thirrje në mënyrë aktive burrave të armatosur në palën kundërshtare që të ndryshojnë besnikërinë, por në këtë fazë është e paqartë se kush do të ketë një avantazh.
Megjithatë, tashmë flitet për një luftë të re civile në Rusi./Albeu.com.