Zhdukja e Ervis Martinajat vijon të jetë një mister i madh në vend nisur edhe nga fakti se policia nuk ka dalë ende me një reagim zyrtar për të zbardhur fatin e njërit prej personave më të kërkuar në vend. Gazetarja Klodiana Lala tha në “Opinion” se prokuroria ka hapur dosjen hetimore në lidhje me zhdukjen e tij në bazë të një dëshmie të Nuredin Dumanit, e cila është klasifikuar si sekret.
Gazetarja dha detaje në lidhje me dëshminë e familjarëve të Martinajt në prokurori dhe polici, të cilët ishin shqetësuar pas humbjes së kontakteve. Ata janë shprehur se mes datës 7 deri në 9 gusht nuk kanë patur kontakte të Martinajt me familjarët.
“Sipas dëshmisë së babait, ai ka thënë në polici se mendon se ngjarja e rëndë i ka ndodhur të birit mes orës 19:30 deri në orën 22:00 të mbrëmjes së datës 9 gusht”, tha ajo, ndërsa shtoi se polici Jeton Lami që e shoqëronte Martinajn është “çelësi” për zbardhjen e ngjarjes. Lala tha se Lami di gjithçka.