Struktura e rritjes ekonomike në vitin 2023, tregoi rënie të theksuar të sektorit të prodhimit në vend dhe sidomos bujqësisë, që është edhe sektori më i madh në ekonomi.
Të dhënat zyrtare të INSTAT referuan se sektori i bujqësisë shënoi rënie me 0.68% në vitin 2023, më e forta e sektorit që nga viti 1997 (shiko grafikun bashkëngjitur).
Tendenca rënëse e ritmeve të rritjes në këtë sektor, filloi që nga viti 2013. Në 10 vitet e fundit, sektori i bujqësisë është rritur mesatarisht 1%, teksa rezultati është dobësuar tre vitet e fundit për t’u kthyer negativ më 2023.
Nga viti 2000 deri në 2010, sektori bujqësor është rritur mesatarisht 3.7% në vit. Të dhëna më të detajuara tregojnë se rënia më e madhe ka ndodhur në sektorin e blegtorisë dhe në mbylljen e fermave të vogla, ngastrave për vetëkonsum.
Pakësimi i popullsisë në fshat nga emigracioni i brendshëm dhe i jashtëm, në njërën anë, dhe mungesa e subvencioneve shtetërore, në tjetrën, e kanë përkeqësuar klimën në sektor.
Në vitin 2022 numri i krerëve në blegtori shënoi rënie vjetore me rreth 13%, ndërsa gjatë dekadës krerët u përgjysmuan.
Prodhuesit dhe blegtorët pohojnë se kostot në zinxhirin e blegtorisë dhe bujqësisë janë të larta, pasi shteti nuk e subvencionon sektorin.
Me heqjen e përjashtimit të TVSH, duke rikthyer edhe një herë nivelin 20%, situata u përkeqësua më tej. Çmimi i qumështit në fermë aktualisht është 40% deri në 60% më i lartë se në BE dhe rajon.
Në Shqipëri, vitin e kaluar, blegtorët që kishin mbi 10 krerë lopë morën nga 98 euro për kokë me dy këste. Ndërsa në Serbi, pas grevës së blegtorëve, vitin e kaluar, subvencioni për një lopë qumështi është 365 euro dhe për çdo litër, blegtori merr mbrapsht 0.16 cent.
Kjo diferencë në çmime po i orienton fabrikat shqiptare drejt importit të qumështit nga jashtë, gjë që do të thotë se është një presion i shumëfishtë për blegtorët që tashmë vuajnë nga kostot e larta të lëndës së parë.
Bujqësia kontribuon me mbi 18% të rritjes ekonomike në vend dhe është sektori më i madh në vend, por dy vitet deficitet në prodhimin po zgjojnë sërish kanalet e importit, teksa eksportet kanë mbetur në vendnumëro.
Aktualisht rreth 70% e produkteve bujqësore në tezga dhe supermarkete vijnë nga importi, duke konkurruar në çmime edhe ato pak fermerë vendas që tentojnë të prodhojnë për treg.
Situata në sektor pritet të përkeqësohet më tej këtë vit, pasi buxheti i shtetit dha më pak financim, teksa mbështetja e BE nga fondet IPARD mbetet e bllokuar. Në buxhetin 2024, sektori i bujqësisë mori 9% më pak financime se plani i 2023.
Të dhënat nga tabelat që shoqërojnë buxhetin 2024 tregojnë se fondet totale për Ministrinë e Bujqësisë do të jenë 14,1 miliardë lekë më 2024, nga 15,6 miliardë lekë më 2023./Monitor