56-vjeçari Bujar Nasufi mbeti viktimë e atentatit të shënuar mbrëmjen e kësaj të diele në rrugën “Myrte Zeneli” pranë zonës së njohur të kryeqytetit si “Pallati me Shigjeta”.
Nasufi u qëllua me breshëri plumbash teksa ndodhej në automjetin e tij. Fatkeqësisht ai nuk i ka mbijetuar plagëve të marra në pjesën e sipërme të trupit dhe ka humbur jetën teksa po trasportohej drejt spitalit të Traumës.
Sakaq, burime për mediat bëjnë me dije së fundmi se autori/ autorët e kësaj ngjarje në momentin që kanë qëlluar mbi automjetin e 56-vjeçarit kanë qenë të hipur në një motor të zi dhe mbi kokë dyshohet se shoferi mbante një kapuç.
Menjëherë pas ngjarjes autori/autorët dyshohet se janë larguar me shpejtësi skëterrë drejt zonës së “Selitës” ku dhe kanë humbur gjurmët e tyre. Theksojmë se deri më tani nuk dihet ende sa persona kanë marrë pjesë në vrasjen e 56-vjeçarit i cili u qëllua teksa ishte duke u futur në banesën e tij.
Grupi hetimor ka “zbarkuar” në vendin ku dhe ndodhi ngjarja dhe po punon për mbledhjen e provave me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj vrasje e cila duket që është një atentat.
Gjithashtu, blutë e Shtetit janë duke punuar për identifikimin e autorit/ autorëve të kësaj ngjarje si dhe kapjen e tyre. Në pikat kryesore të kryeqytetit, si hyrjet dhe daljet janë vendosur efektivë të cilët po kontrollojnë të gjithë zonën.
Deri më tani nuk dihet ende nëse kemi të bëjmë me një larje hesapesh, por theksojmë se viktima rezulton një person pa precedent penal.