Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka bërë të ditur listën e re të sanksioneve lidhur me pushtimin rus të Ukrainës. Me vendimin e ri janë shënjestuar “ata personave që me vetëdije kanë ndihmuar” oligarkët e sanksionuar rusë, sikurse ish-pronarin e klubit futbollistik Chelsea, Roman Abramovich.
Masat e reja kanë shënjestruar Demetris Ioannides dhe Christodoulos Vassiliades, dy qipriotë “ndërmjetësues profesionistë” që Britania i akuzon se kanë ndihmuar Abramovichin dhe ish-ansionarin në Arsenal, Alisher Usmanov.
Ioannides ka krijuar “struktura të dyshimta offshore [jashtë vendit]” që janë përdorur nga Abramovich për të fshehur mbi 760 milionë funte në asete para se të sanksionohej vitin e kaluar, ndërkaq avokati Vassiliades ka krijuar fonde të mirëbesimit dhe kompani offshore që janë përdorur nga Usmanov, tha Qeveria britanike.
Usmanovit, oligark i lidhur me Kremlinin, iu sanksionua rrjeti financiar – që përfshin kompanitë USM, Curzon Square Limited dhe Hanley Limited – nga autoritetet britanike.
“Ne po mbyllim rrugët për elitën ruse dhe për ata që po tentojnë t’iu ndihmojnë që të fshehin paratë e tyre nga lufta”, tha sekretari i Jashtëm, James Cleverly, duke u zotuar se për ta “nuk ka vend ku mund të fshihen”.
“Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të përndjekë ata që e mbështesin këtë luftë. Ne nuk do të ndalemi derisa të ndalet presidenti rus, Vladimir Putin”, shtoi ai.
Zyra për Jashtë dhe Zhvillim e Britanisë deri më tani ka vendosur një sërë runde sanksionesh që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar, duke shënjestruar anëtarë të familjeve të oligarkëve dhe ata individë që oligarkët përdorin “për të fshehur asetet e tyre”.
Në listën e sanksioneve është përfshirë edhe prezantuesja televizive ukrainase, Oksana Marchenko, burri i së cilës, pasaniku ukrainas Viktor Medvedchuk, që më herët ishte deputet, u dërgua në Rusi në një këmbim të burgosurish vitin e kaluar.
Shumë oligarkë, përfshirë Abramovichin dhe Usmanovin, kanë ngritur padi ndaj sanksioneve që kanë vendosur Britania dhe Bashkimi Evropian. /REL