“Xi Jinping, largohu!”, protestat kundër bllokimeve anti-Covid sfidojnë seriozisht regjimin komunist në Kinë

Nga Arpan Rai “The Independent

Protestuesit e zemëruar në Kinë po bëjnë thirrje që Xi Jinping të largohet nga posti i presidentit, përmes shfaqjeve të rralla të mospajtimit që janë përhapur tashmë në shumë qytete të vendit, përfshirë Shangain dhe Pekinin dhe universitetet, si rezultat i zhgënjimit të madh me politikat qeverisë të “zero rasteve me Covid”.

Rreth 300 protestues u mblodhën në rrugën “Middle Urumqi” në Shangai të shtunën për të nderuar viktimat e zjarrit të madh që përfshiu një blloku apartamentesh dhe që vrau 10 njerëz në Urumqi mbrëmjen e të enjtes.

Disa llogari të mediave sociale, kanë sugjeruar që banorët nuk mundën të largoheshin nga shtëpitë e tyre gjatë zjarrit, pikërisht për shkak të masave bllokuese anti-Covid. Protestuesit në Shangait mbanin lule dhe qirinj dhe mbanin pankarta ku shkruhej “Urumqi, 24 Nëntor, Ju që vdiqët prehuni në paqe”, si dhe duke kënduar himnin kombëtar, raporton abcnews.al

Por të tjerët shprehën kritika të rralla drejtuar qeverisë, duke bërtitur “Xi Jinping, largohu, Partia Komuniste, largohu”, “Hiqni bllokimet në Xinjiang, çlironi Kinën”, “Ne nuk duam testet PCR, Duam lirinë e daljes, dhe atë të shtypit”, sipas rrëfimit të një demonstruesi të quajtur Zhao.

Pak më vonë policia përdori sprajin me piper djegës, dhe forcë, për të shpërndarë protestën. Zhao i tha agjencisë së lajmeve ”Associated Press” se oficerët rrahën një nga miqtë e tij, ndërsa 2 të tjerët u spërkatën me spraj në fytyrë. Një zyrtar policie e goditi në këmbë, kur ai u përpoq t’i pengonte ata që të arrestonin shokun e tij.

Një foto tjetër nga vendi i protestës, tregonte dhjetëra njerëz që mbanin copa letre të zbrazëta në shenjë rezistence ndaj kufizimeve të vazhdueshme. Energjia që përçuan protestuesit ishte shumë inkurajuese, tha një protestues.

Një ujgur etnik u shpreh për Asociated Press:“Të gjithë mendojnë se kinezët kanë frikë të dalin dhe të protestojnë, se ata nuk kanë guxim. Në fakt, edhe unë kam menduar këtë shpeshherë. Por më pas kur shkova atje, e kuptova që mjedisi ishte ndryshe, dhe të gjithë ishin shumë të guximshëm”.

Një listë e postuar në mediat sociale tregoi se ka pasur demonstrata në 50 universitete. Videot e postuara që tregonin se ishin filmuar në Nanjing në lindje, Guangzhou në jug, Pekin në veri dhe të paktën 5 qytete të tjera, treguan protestuesit që përlesheshin me policinë e veshur m kostume të bardha mbrojtëse, apo që çmontonin barrikadat e përdorura për të futur në karantinë lagje të tëra, ndërsa të tjerët brohoritnin dhe duartrokitin.

Kina është e vetmja ekonomi e madhe që vazhdon me bllokime, testime të rregullta dhe karantinat e detyrueshme për qytetarët e saj për të luftuar pandeminë, edhe pas gati 3 viteve qëkur virusi Covid-19 u shfaq për herë të parë në qytetin kinez Wuhan.

Pavarësisht nga pakënaqësia në rritje e publikut për masat drastike, shumë autoritete lokale po i forcojnë kufizimet e tyre për shkak të numrit në rritje të rasteve me Covid-19. Të dielën, vendi regjistroi gjithsej 39.506 infeksione të reja Covid, një nivel i lartë për të katërtën ditë me radhë.

Megjithatë, për shumë njerëz shqetësimi për rastet në rritje, është dytësor përballë zemërimit të madh popullor ndaj periudhave të zgjatura të bllokimit, të cilat mund të shkaktohen edhe nga vetëm një pjesë e vogël e rasteve të reja të raportuara në çdo qark.

Politologu i njohur Ian Bremmer, thotë se protestat aktuale paraqesin kërcënimin më të madh për sundimin e Xi Jinping në Kinë deri më tani. Një protestues që këndoi së bashku me turmën në tubimin e Shangait, konfirmoi se njerëzit bërtisnin për largimin e presidentit, diçka që ishte e pamundur të imagjinohej deri një vit më parë.

Në mediat sociale kineze, të cilat censurohen nga Partia Komuniste, pati vetëm një provë të vogël të protestës. Gjithsesi disa video janë shpërndarë globalisht përmes Twitter dhe Facebook. Artisti kinez në mërgim Ai Ëeiëei ka shpërndarë video të protestave në faqen e tij në Instagram.

Protesta paqësore pati gjithashtu në Urumqi të premten në mbrëmje, për të kundërshtuar kufizimet sipas qasjes “zero-Covid”, që i pengojnë njerëzit të rifillojnë jetën e tyre të përditshme. Shumë video tregojnë banorët vendas që mbajnë në duar flamurin kinez dhe këndojnë ”Hapni vendin”, dhe të tjerët që brohorasin dhe shtyjnë kundër rreshtave me njerëz të veshur me kostume të bardha, pra punonjësit e qeverisë lokale dhe vullnetarët e angazhuar për pengimin e përhapjes së pandemisë.

Zyrtarët kinezë i kanë hedhur poshtë pretendimet se barrikadat pranë ndërtesës së përfshirë nga zjarri në Urumqi, i penguan zjarrfikësit të përballeshin në mënyrë efektive me zjarrin, dhe theksuan se banorët u lejuan që të largoheshin sa më shpejt nga shtëpitë e tyre.

/albeu.com


Shtuar 28.11.2022 10:44