VIDEO/ 40 ditë të humbur në xhungël, pamje prekëse nga shpëtimi i katër të miturve që i mbijetuan rrëzimit të avionit në Kolumbi

Mediet e huaja kanë publikuar video me pamje prekëse nga shpërthimi i katër fëmijëve të cilët endeshin të zhdukur në xhungël për plot 40 ditë, pasi avioni me të cilin po udhëtonin u rrëzua në xhunglen e Amazonë në Kolumbi.

Nga aksidenti ajror mbetën të vrarë tre pasagjerët e rritur, mes tyre nëna e katër fëmijëve të zhdukur.

Sakaq pamjet e publikuara nga shpëtimi i katër të miturve, vellëzër e motra të moshave 4 deri 13 vjeç janë prekëse. Helikopteri i ushtrisë i ka transportuar 4 vëllezërit në spital, ku po i nënshtrohen analizave dhe po marrin kujdesin e nevojshëm.

Sipas medieve britanike, katër fëmijët u gjetën të dehidratuar dhe në gjendje shumë të dobët, me rroba të grisura dhe kafshime në trup.

Informacioni fillestar nga Autoriteti i Aviacionit Civil, i cili po koordinonte përpjekjet e shpëtimit, sugjeroi se fëmijët u arratisën nga avioni dhe u drejtuan në pyllin tropikal për të kërkuar ndihmë.

Ekipet e shpëtimit, me mbështetjen e qenve të kërkimit, gjetën më parë fruta të hedhura, të cilat dyshohet se i hëngrën fëmijët dhe strehimore të improvizuara të bëra nga bimët e xhunglës.

Në operacionet e shpëtimit morën pjesë avionë dhe helikopterë të ushtrisë dhe forcave ajrore kolumbiane./albeu.com/


Shtuar 10.06.2023 14:26