Turqia është problemi kryesor i NATO-s në lidhje me mbështetjen e Ukrainës

Nga Robbie Gramer & Anusha Rathi “Foreign Policy

Kur presidenti rus Vladimir Putin festoi ditëlindjen e tij të 70-të në tetor, ai nuk mori asnjë urim nga udhëheqësit e Perëndimit, me vetëm një përjashtim të dukshëm: presidentin turk Recep Tayyip Erdogan. Ndërsa liderët e tjerë të NATO-s e kanë shpërfillur Putinin që kur ai filloi luftën në Ukrainë në fillim të këtij viti, Erdogan ka bërë të kundërtën.

Gjatë muajve të fundit, ai është angazhuar në disa takime dhe biseda telefonike me presidentin rus për bashkëpunimin e përbashkët energjetik, lidhjet e reja të biznesit, marrëveshjet që po e lejojnë Ukrainën të eksportojë në mënyrë të sigurt drithin e saj etj.

Për shumicën e udhëheqësve perëndimore, marrëdhënia Erdogan-Putin ka sjellë disa përparime të rëndësishme diplomatike. Por njëherazi edhe telashe, sepse Ankaraja po ecën në drejtimin e kundërt me përpjekjet e Perëndimit për ta ndëshkuar ekonominë e Rusisë, dhe për ta izoluar Putinin në skenën botërore që kur ai urdhëroi tanket ruse të lëviznin përtej kufirit të Ukrainës.

Lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah ndarjet e reja midis NATO-s dhe Turqisë. Erdogan është përpjekur të pozicionohet si ndërmjetësi kryesor midis Rusisë dhe Perëndimit, duke përfituar nga mënyra se si lufta ka dobësuar ndikimin e Moskës jashtë vendit. Por në këtë mënyrë ai rrezikon që të minojë marrëdhëniet tashmë të tensionuara me aleatët perëndimorë të Turqisë.

“Turqia dëshiron që të shihet si vendi që mund të ndërtojë besimin midis Rusisë dhe Ukrainës, për t’i ulur më në fund ato në tryezën e bisedimeve. Nga ana tjetër nuk ka dyshim se Turqia do të përfitojë nga një Rusi më e dobët si rezultat i kësaj lufte”- thotë Luke Coffey, studiues në Institutin Hadson.

Nga intervistat me shumë ligjvënës amerikanë, por edhe zyrtarë amerikanë dhe evropianë, konsensusi i gjerë midis anëtarëve të NATO-s është se aleanca nuk mund të ekzistojnë pa Turqinë si aleate.

E megjithatë ta kesh Turqinë në NATO e ka një kosto. “Në një farë mënyre, si Evropa po ashtu edhe Rusia kanë nevojë për Erdogan, ndaj ai mund të vendosë gjithmonë në plan të parë interesat e tij”- thotë Rachel Rizzo, eksperte për sigurinë evropiane në think-tankun “Atlantic Council”.

Për një vëzhgues të jashtëm, politikat e Turqisë ndaj luftës në Ukrainë, janë të çuditshme. Pasi Erdogan e ka dënuar pushtimin e Rusisë, ka refuzuar të njohë pretendimet e saj mbi territorin ukrainas, dhe i ka ofruar një ndihmë jetike ushtarake forcave të armatosura të Ukrainës për të ndalur përparimet ushtarake ruse, përfshirë një flotë dronësh të armatosur që ishin shumë përcaktuese në luftë.

Por nga ana tjetër, ndërsa Perëndimi vendosi sanksione ndëshkuese kundër Rusisë, Erdogan i ofroi Kremlinit një portë të sigurt ekonomike, duke forcuar lidhjet ekonomike midis dy vendeve dhe duke nisur bisedimet me Moskën për ta kthyer Turqinë në një destinacon kryesore të gazit natyror rus.

Por Erdogan ndihmoi gjithashtu edhe në ndërmjetësimin e shkëmbimit të të burgosurve të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, përfshirë disa qytetarë britanikë dhe amerikanë që luftonin për Ukrainën, teksa arriti edhe një marrëveshje që po lejon eksportet ukrainase të grurit të kalojnë të sigurta përtej bllokadës ruse përmes Detit të Zi. Kjo lëvizje uli ndjeshëm çmimet që fillimisht tronditën tregjet globale të ushqimeve dhe mallrave.

Erdoganin mund ta kushtëzojë shumë kërkesa e Finlandës dhe Suedisë për të hyrë në NATO. Në këto kushte, pse Perëndimi duhet të bëjë paqe me Erdoganin? Sepse ai është i vetmi personazh i pakëndshëm me të cilin Perëndimi ka nevojë urgjente për të pasur marrëdhënie më të mira.

Madje vetë Erdogan u mburr se është i vetmi udhëheqës që mund ta ulë Putinin në tryezën e negociatave, pasi presidenti rus braktisi përkohësisht marrëveshjen e grurit, dhe më pas iu kthye asaj këtë muaj, falë ndërhyrjes së udhëheqësit turk.

“Putin nuk pranon që ta hapë këtë korridor të grurit përmes ndërhyrjes së të tjerëve. Por kur i telefonova unë ai e hapi menjëherë atë”- deklaroi Erdogan në një intervistë për një media turke. Por më pas është tradhtia e vetë Turqisë. Erdogan i ka zemëruar aleatët e NATO-s vitet e fundit duke forcuar lidhjet ushtarake me Rusinë, përfshirë blerjen e sistemeve të avancuara ruse të mbrojtjes ajrore për shkak të kundërshtimeve të ashpra nga aleanca perëndimore.

Së fundmi ajo është prishësi kryesor i planeve të Finlandës dhe Suedisë për t’iu bashkuar me shpejtësi NATO-s, pas pushtimit rus të Ukrainës. Sipas intervistave me disa diplomatë amerikanë dhe evropianë, të cilët folën që të gjithë në kushte anonimiteti për një çështje delikate, brenda aleancës së NATO-s ekziston një pikëpamje e gjerë se Erdogan po kujdeset para së gjithash për veten e tij, pavarësisht nëse kjo përputhet apo jo me interesat e aleancës.

“Turqia po luan në një mënyrë të tillë, që të kënaqë të dyja palët, dhe nuk po bën mjaftueshëm për të shkelur ndonjë vijë të kuqe”- na tha një zyrtar perëndimor.  Por nga këndvështrimi i Ankarasë, ekziston një logjikë dhe një linjë e qëndrueshme në politikën e Erdoganit ndaj Ukrainën, mendon Soner Cagaptay, një ekspert për Turqinë në Institutin e Uashingtonit për Politikën e Lindjes së Afërt.

“Politika e Turqisë për Ukrainën është pro-ukrainase, por jo kundër Rusisë. Turqia e mbështet Ukrainën ushtarakisht, është neutrale politikisht, por i mban të hapura lidhjet ekonomikisht me Rusinë”- shton ai.

Me fuqinë e saj gjeopolitike unike si porta hyrëse për në Detin e Zi, Turqia dëshiron që të sigurohet që rajoni të mos bjerë plotësisht nën kontrollin e Rusisë. Në të njëjtën kohë, bashkëpunimi ekonomik pragmatik me Rusinë, i ka ofruar Turqisë një “kamardare shpëtimi” financiare unike në një kohë kur ky vend po përballet me inflacionin në rritje, dhe me një deficit të madh të llogarisë korente, dhe të gjitha këto përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

“Është në interesin e Turqisë që të bllokojë zgjerimin e ndikimit të Rusisë, dhe në të njëjtën kohë të mos djegë urat e saj me Uashingtonin dhe me Evropën’- deklaron James Jeffrey, një ish-ambasador i SHBA-së në Turqi, dhe kryetar i Programit të Lindjes së Mesme në Qendrën Uillson.

“Rusia është shumë e rëndësishme për mbijetesën financiare të Turqisë në kohën e një ecurie ekonomike shumë të dobët. Tek e fundit, Erdogan është palë me Perëndimin për ta penguar Rusinë që të fitojë në Ukrainë. Por përtej kësaj, ai do të përpiqet të përfitojë maksimalisht nga pozicioni ndërmjetësues i Turqisë me Rusinë, Ukrainën, me Perëndimin dhe me Lindjen e Mesme”- shton Jeffrey.

Ambasada turke në Uashington nuk iu përgjigj kërkesës tonë për një koment në lidhje me këtë çështje. Edhe pse Erdogan po forcon lidhjet ekonomike me Rusinë, udhëheqësit në NATO tregohen të kujdesshëm duke shmangur kritikat e hapura ndaj presidentit turk në lidhje me dallimet e tyre të brendshme, dhe kjo tregon fuqinë unike që ka ai në këtë krizë, ndërsa konflikti në Ukrainë ka hyrë në muajin e tij të 10-të.

Gjatë një vizite që zhvilloi në Turqi muajin e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e përgëzoi Turqinë për ndërmjetësimin e shkëmbimit të të burgosurve të luftës dhe për marrëveshjen e eksportit të grurit ukrainas midis Rusisë dhe Ukrainës, por edhe për “mbështetjen e saj të fortë për të drejtën e vetëmbrojtjes së Ukrainës”.

Edhe ambasadorja e SHBA-së në NATO, Julianne Smith, e lavdëroi Turqinë kur u pyet nga “Foreign Policy” për rolin e saj në NATO dhe për lidhjet me Rusinë. “Roli që ka luajtur Turqia në lidhje me marrëveshjen e grurit ka qenë vërtetë i domosdoshëm, dhe të gjithë i jemi jashtëzakonisht mirënjohës. Turqia është një anëtare e rëndësishme e aleancës së NATO-s dhe ne e vlerësojmë atë që ata po bëjnë për Ukrainën në shumë sektorë”- tha ajo.

Por kthesat e herëpashershme në politikat e Turqisë, kanë zhgënjyer aleatët kryesorë të presidentit amerikan Joe Biden në Capitol Hill, që mbikëqyr fondet për ndihmën e SHBA-së ndaj Ukrainës por edhe shitjet e armëve ndaj aleatëve, përfshirë Turqinë.

“Ne duhet të pranojmë se Turqia mund të japë kontribute të rëndësishme, dhe është më mirë ta kemi atë në NATO sesa jashtë saj”- thotë senatorja demokrate Jeanne Shaheen, anëtare e Komitetit të  Shërbimeve të Armatosura dhe e Komisionit të Marrëdhënieve të Jashtme.

“Por njëkohësisht Turqia është sjellë keq në disa aspekte të tjera. Dhe ne duhet të shqyrtojmë mënyrat se si mund t’i inkurajojmë turqit, por edhe dhe si t’u kërkojmë llogari kur presidenti Erdogan sillet keq”- shtoi ajo. Kur u pyet nëse e sheh Turqinë si një “aleate të besueshme të NATO-s”, senatori demokrat Chris Coons u përgjigj: “Ajo është një aleate e NATO-s”.

/albeu.com


Shtuar 1.12.2022 09:30