Ish Presidenti amerikan Donald Trump është pothuajse i pamposhtur në zgjedhjet paraprake republikane, por përkundër fitoreve të deritanishme, përkrahja për të mes gjithë personave me të drejtë vote, si kandidati më i favorshëm republikan, mbetet e paqartë.
Sipas anketave të kryera nga agjencia e lajmeve The Associated Press, zoti Trump duket se ka rigjallëruar bazën e elektoratit republikan në disa shtete, përfshirë Ajovën, Nju Hempshirin dhe Karolinën e Jugut. Votuesit e tij janë kryesisht të bardhë, shumica e tyre mbi 50 vjeç dhe përgjithësisht pa arsimim të nivelit universitar. Por këto nuk janë karakteristikat demografike të elektoratit me të cilin ai ka gjasa të përballet në nëntor, kur do të ketë nevojë të sigurojë mbështetje edhe nga grupe të tjera votuesish, si dhe të fitojë mbështetjen e përkrahësve të rivales së deritanishme në Partinë Republikane, Nikki Haley. Zonja Haley nuk ka arritur të sigurojë përkrahje të gjerë brenda partisë republikane, por kandidura e saj mund t’i krijojë probleme zotit Trump.
Anketat e agjencisë Associated Press zbulojnë se një pjesë e madhe e kundërshtarëve republikanë të zotit Trump janë votues që kanë hequr dorë nga ai para se ai të rivinte kandidaturën për zgjedhjet e këtij viti.
Po ashtu, anketat dëshmojnë për një parti republikane, që ka ndryshuar qëndrimet e saj të mëparshme për çështje themelore politike, duke mbështetur tani programe të mëdha qeveritare dhe duke u tërhequr nga angazhimet jashtë vendit.
Agjencia Associated Press anketoi 1,597 votues republikanë nga zgjedhjet partiake në Ajova, 1,989 votues nga zgjedhjet në Nju Hempshër dhe 2,466 votues në zgjedhjet paraprake republikane në Karolinën e Jugut. Anketat janë realizuar nga Associated Press dhe Qendra NORC për hulumtime të çështjeve publike.
Mbështetësit e zonjës Haley: republikanët anti-Trump dhe ish votuesit e zotit Biden
Ish ambasadorja Haley ishte e vetmja kandidate që sfidoi zotin Trump në Karolinën e Jugut, por ndëshkimi që ajo mori në shtetet ku tashmë janë mbajtur zgjedhjet paraprake nënvizojnë kufizimet e fushatës së saj.
Disa nga përkrahësit e zonjës Haley në Nju Hempshër dhe në Karolinën e Jugut ishin votues që në anketat e AP-së u deklaruan si demokratë, apo të pavarur. Për më shumë, këta votues kishin mbështetur zotin Biden në zgjedhjet e vitit 2020. Në Karolinën e Jugut dhe në Ajova, katër nga 10 votues të zonjës Haley kishin mbështetur zotin Biden para katër vitesh. Gati gjysma e votuesve të saj në Nju Hampshër kishin votuar për zotin Biden.
Sfidë për zonjën Haley është fakti se ky grup është një pakicë brenda votuesve republikanë. Ata përbëjnë diku mes 11 deri në 24 për qind të votuesve republikanë në secilën nga tre garat, duke krijuar një bazë të ulët të përkrahjes ndaj saj. Shumë nga përkrahësit e mbetur të zonjës Haley në këto shtete thanë se kishin votuar për kandidatin e partisë së tretë, apo nuk kishin votuar fare në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2020.
Elektorati republikan mbetet përgjithësisht i bardhë
Deri më tani, pothuajse gjithë mbështetja për zotin Trump vjen nga votuesit e bardhë, të cilët përbëjnë shumicën dërmuese të elektoratit në këto gara të para mes kandidatëve republikanë. Këto rezultate ofrojnë një pasqyrë nëse zoti Trump mund të përfitojë nga votat e votuesve afro-amerikanë dhe hispanikë, të cilët tradicionalisht kanë mbështetur kandidatët demokratë.
Sipas anketës, zoti Trump gëzon të njejtën përkrahje mes grupeve të votuesve që e mbështetën atë në zgjedhjet e kaluara. Gati 6 nga 10 votat për të në vitin 2020 ishin nga votues të bardhë, pa arsimim universitar. Në garat e deritanishme ai e ka thelluar mbështetjen mes këtij grupi votuesish. Më shumë se 6 nga 10 votues të tij në këto gara ishin gjithashtu mbi 50 vjeç. Zoti Trump gjithashtu ruajti nivelin e lartë të mbështetjes nga të krishterët evangjelistë dhe banorët që jetojnë në qyteza apo në zonat rurale, grupe që kanë peshë të rëndësishme në kontekstin e zgjedhjeve paraprake republikane, por që përbëjnë një pjesë të vogël të elektoratit të përgjithshëm.