Trump: Fajtor për sulmin e Hamasit ishte Biden

Ish-presidenti amerikan Donald Trump gjatë një konference për shtyp të hënën, ka fajësuar kreun e Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden për sulmet terroriste të Hamasit të 7 tetorit në Izrael.

Trump akuzoi ‘Biden dhe banditët e tij’ për rastet e tij gjyqësore dhe gjyqet e vazhdueshme dhe tha se e gjitha ishte pjesë e ‘përdorimit’ të sistemit të drejtësisë për të hequr vëmendjen nga rekordi i presidentit për dështimet e politikës së jashtme.

“Ai nuk mund të fitojë për shkak të sulmit të 7 tetorit të Izraelit, i cili nuk duhej lejuar kurrë të ndodhte, nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse unë do të isha president”, tha ai.

Trump tha se dobësia e Biden e motivoi Hamasin për të sulmuar Izraelin.

“Politika e tij e jashtme ka qenë e tmerrshme”, tha Trump për Biden. “Nëse shikoni njerëzit që ishin në administrata të tjera me të, ata e shihnin atë si një president të dobët dhe joefektiv”, tha Trump.

Megjithatë Trump shprehu disa kritika ndaj Izraelit për hedhjen e bombave në Gaza , duke i paralajmëruar ata se disa nga imazhet ishin shumë të dëmshme për çështjen e tyre morale për luftën.

“Mendoj se Izraeli bëri një gabim shumë të madh. Doja të telefonoja dhe të thoja mos e bëj këtë”, tha Trump, duke paralajmëruar se imazhet dhe videot e bombave që binin në Gaza krijonin një ‘imazh të keq’ për izraelitët.


Shtuar 25.03.2024 21:05