Një krim i tmerrshëm brenda familjes ka shokuar opinionin publik në Shtetet e Bashkuara. Autoritetet raportojnë se një burrë 47-vjeçar vrau bashkëshorten dhe gjashtë fëmijët e tyre, më pas i vuri zjarrin banesës dhe në fund mori jetën e vet.
Të lidhura
None found
Viktimat janë identifikuar si Christopher Karolkiewicz, 47 vjeç, gruaja e tij Amanda “Maddie” Karolkiewicz, 39 vjeçe, si dhe të gjashtë fëmijët e çiftit, të cilët ishin nga 5 deri në 15 vjeç. Trupat e tyre u zbuluan në rezidencën e familjes në Grand Haven Township, afër Liqenit Michigan.
Sipas të dhënave fillestare të hetimit, Christopher Karolkiewicz fillimisht ekzekutoi me armë zjarri gruan dhe të miturit. Më pas, dyshohet se ai ndezi disa zjarre në dhoma të ndryshme të shtëpisë, para se të vetëqëllonte për t’i dhënë fund jetës së tij.
Policia u alarmua pas thirrjeve të fqinjëve që panë tym të bardhë duke dalë nga ndërtesa. Forcat e emergjencës iu deshën afërsisht tre orë për të gjetur origjinën e flakëve dhe për të depërtuar në brendësi, ku hasën trupat e tetë pjesëtarëve të familjes.
Një pjesë e viktimave u gjetën në dhomat e fjetjes. Ekspertizat mjeko-ligjore vërtetuan se të gjithë kishin ndërruar jetë nga plagët e armës së zjarrit, jo nga zjarri.
Hetuesit janë të bindur se zjarri është vendosur me dashje në disa pika të banesës pas kryerjes së vrasjeve dhe po hetojnë mekanizmin e saktë të ndezjes. Edhe kafshët shtëpiake të familjes nuk shpëtuan dot nga flakët.
Shtypi amerikan raporton se Christopher dhe Amanda u takuan në vitin 2008 në vendin e punës dhe kurorëzuan lidhjen e tyre në gusht të 2009-shit. Çifti pati katër fëmijë biologjikë dhe më vonë birësoi dy vajza.
Megjithatë, prapa pamjes së një familjeje të lumtur, duket se fshiheshin tensione serioze martesore. Rreth tetë vjet përpara tragjedisë, Christopher kishte nisur një lidhje jashtëmartesore me një praktikante shumë më të re në punë.
Dy vjet më parë, Amanda kishte ndarë dhimbjen e saj në platformën Reddit, duke rrëfyer se burri e kishte tradhtuar përsëri me një praktikante. Në një nga shkrimet e saj, ajo tregonte se pas vuajtjesh të gjata, kishte kuptuar se duhej të mbështetej tek vetja për të ecur përpara.
Autoritetet vazhdojnë hetimet për të ndriçuar plotësisht dinamikën dhe shkaqet e kësaj tragjedie të rëndë familjare.
