Kremona është përfshirë këtë pasdite nga një stuhi e fuqishme, e shoqëruar me tornado, breshër dhe erëra të forta, duke shkaktuar dëme të mëdha në disa pjesë të qytetit italian.
Të lidhura
None found
Ndër objektet e dëmtuara janë Katedralja dhe Bashkia. Erërat kanë dëmtuar rëndë çatinë e njërit prej majave të Katedrales, ndërsa është shembur edhe çatia e kullës qytetare të Bashkisë, një prej elementeve të mbetura të ndërtesës së vjetër të qytetit.
Rreth 40 persona raportohet se janë plagosur si pasojë e motit ekstrem. Në shumicën e rasteve bëhet fjalë për dëmtime të lehta, ndërsa një incident më i rëndë është shënuar në Via Giuseppina, në periferi të Kremonës, ku një pemë e rrëzuar goditi një automjet. Banorët dhe më pas ekipet e emergjencës ndihmuan në nxjerrjen e personave që ndodheshin brenda makinës.
Të plagosur të tjerë janë goditur nga kokrrat e breshërit, copat e çative, tjegullat dhe materialet e shkëputura prej ndërtesave. Disa prej tyre kanë marrë ndihmë mjekësore, kryesisht për dëmtime fizike dhe gjendje shoku.
Stuhia ka prekur gjithashtu pjesën lindore të Bassa Piacentina, ku janë regjistruar reshje intensive breshëri. Në Castelsangiovanni, pranë kufirit me provincën e Pavias, madhësia e kokrrave të breshërit ka arritur atë të topave të tenisit.
Dhjetëra telefonata kanë mbërritur në shërbimet zjarrfikëse, kryesisht për pemë të rrëzuara dhe dëme në automjete. Pasojat janë ndier edhe në bujqësi, veçanërisht në vreshta, ku janë raportuar dëme të konsiderueshme.
Reshjet e dendura shkaktuan vështirësi edhe përgjatë autostradës Piacenza-Torino. Disa drejtues u detyruan të ndalonin përkohësisht, por autoritetet bënë të ditur se nuk kishte persona të lënduar.
Ndërhyrje janë kryer edhe në Torino, ku zjarrfikësit shpëtuan tetë persona të bllokuar në rrugë, në zonën Clot de la Batüa. Ata po përpiqeshin të ktheheshin në banesat e tyre kur u përballën me kushtet e vështira.
Personat u larguan nga zona dhe u dërguan në një vend të sigurt. Ekipet e zjarrfikësve nisën më pas heqjen e baltës dhe mbeturinave nga rruga, e cila pritet të qëndrojë e mbyllur gjatë natës.
Probleme të shumta janë raportuar edhe në provincën e Alessandrias. Erërat e forta kanë rrëzuar pemë mbi rrugë dhe automjete, ndërsa kanë dëmtuar tjegulla dhe pjesë të tjera të strukturave të ndërtesave.
Zjarrfikësit kanë marrë rreth 50 kërkesa për ndërhyrje. Ndër zonat më të goditura janë kryeqyteti provincial, Tortona dhe lugina e poshtme e Scrivias, ku janë regjistruar pasoja nga era, shiu dhe breshëri.
Kushtet e këqija atmosferike kanë shkaktuar vështirësi edhe në zonat malore të Trentino-s. Pas mbylljes së disa teleferikëve për shkak të erërave të fuqishme, më shumë se 800 alpinistë janë ndihmuar dhe shoqëruar drejt luginës.
Në lartësitë mbi 2,500 metra, era ka arritur shpejtësi mbi 110 kilometra në orë. Ndërhyrjet kryesore janë zhvilluar në Ciampac dhe Sass Pordoi.
Në Ciampac, ndalimi i teleferikut la të bllokuar rreth 400 persona, të cilët u transportuan drejt luginës me automjete. Në Sass Pordoi, situata preku rreth 600 persona. Disa prej tyre u shoqëruan nga ekipet e shpëtimit përgjatë Qafës Forcella Pordoi, ndërsa për personat më të rrezikuar, mes tyre të moshuar dhe fëmijë, u vu në dispozicion teleferiku pasi ai u rihap.
