Në një lidhje skype me emisionin “Open”, Abdylvehab Ejupi, gazetar shqiptar në TRT, ka bërë një pasqyrë të situatës në Turqi dhe ndihmave të ardhura nga jashtë për miliona të prekurit.
Ai ka deklaruar se kanë qenë 100 vende ata që i kanë ardhur në ndihmë qytetarëve turq, një akt ky që është parë sipas tij edhe si një mënyrë që bota t’i kthejë Turqisë nderin duke qenë se Turqia është një nga tre vendet më solidare dhe ndihmon gjithmonë në raste të tilla fatkeqësish madhore.
Ejupi ka shtuar gjithashtu se mënyra se si qeveria ka menaxhuar situatën dhe se si do ta menaxhojë deri në fund, do të jetë një faktor kyç në zgjedhjet e ardhshme.
“Është dita e 10 pas tërmetit, mbi 200 orë kanë kaluar nga tërmeti dhe ende vijon puna e ekipeve të Kërkim-shpëtimit për të gjetur edhe një njeri që frymon nën gërmadha.
Bashkë me ta një kontribut të madh po japin edhe minatorët me teknikat e tyre nëntokësore dhe ekipet e ardhura nga e gjithë bota. të gjithë janë një koordinim nga autoritetet e emergjencës vendase. Deri tani numrat zyrtarë janë mbi 35 mijë viktima në Turqi
Mbi 100 mijë të lënduar dhe numri pritet të dyfishohet apo edhe më shumë. Puna e ekipeve do të ndalojnë gradualisht që nesër dhe kjo mund të sjellë edhe dyfishim të shifrave.
Mbi 300 mijë ndërtesa kanë pasur probleme ku 50 mijë prej tyre duhet të rrëzohen sa më shpejt. Brenda marsit mendohet të nisë rindërtimi i tyre dhe është premtuar që të pastrehët të kthehen në shtëpi pas një viti.
Mbi 100 shtete kanë asistuar Turqinë.
Turqia është një nga 3 vendet më solidare në botë, mbi 8 mld dollarë në nivel vjetor janë dërguar në të gjithë botën në ndihmë të vendeve në nevojë. Ndaj ndjehet si obligim që ndihma e Turqisë kudo që ka qenë një tragjedi e kalibrit të tillë të kthehet.
74 shtete kanë dërguar ekipe kërkim shpëtimi, mbi 9 mijë ekipe me ekspertë.
Ditën e parë ka pasur probleme dhe kritika ndaj presidentit që nuk thirri ushtrinë dhe u vonua 24 orë për mobilizimin e saj. Duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për një hapësirë shumë të madhe, sa Holanda e Belgjika së bashkë, mbi 13 milion banorë të prekur.
Mendoni sa i shpejtë mund të jetë ndërhyrja.
Analistët thonë që qasja do jetë faktor kyç në zgjedhjet e ardhshme në Turqi, shihet si mbyllja e një epoke dhe hapja e një tjerë, siç ishte tërmeti i shkuar. Reagimi i politikës dhe qëndrimi do reflektojë drejt për drejt në vota”, ka deklaruar ai.