Tensionet në Azi, 57 avionë ushtarakë kinez në 24 orë mbi qiellin e Tajvanit

Zyra presidenciale në Tajvan dënoi sot stërvitjet e fundit ushtarke të Kinës pranë territoreve të Tajvanit, duke njoftuar se paqja dhe stabiliteti në ngushticën e Tajvanit është përgjegjësi e përbashkët e Tajvanit dhe Kinës.

Qendrimet e Tajvanit janë të qarta për të mos përshkallëzuar tensionet dhe për të mos provokuar konfrontime.

Ndër të tjera m inistria e Mbrojtjes në Tajvan njoftoi sot se në 24 orët e fundit, 57 avionë kinezë hynë në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit, pas njoftimit të Pekinit për më shumë stërvitje ushtarake pranë ishullit.

Forcat e armatosura të Kinës njoftuan se kanë zhvilluar dje, të dielën, stërvitje ushtarake, me fokus goditjet tokësore, por edhe aksionet sulmuese ndaj objektivave detarë.

Ky është cikli i dytë i ushtrimeve të ngjashme që zhvillohen në më pak se një muaj.

Komanda e Teatrit të Operacioneve Lindore të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës tha në një deklaratë të dielën vonë se forcat e saj kryen “patrulla të përbashkëta operative të gatishmërisë luftarake, si dhe stërvitje luftarake aktuale” në det dhe hapësirën ajrore rreth Tajvanit.

Qëllimi i stërvitjeve ishte testimi i aftësive operative luftarake për të “përballuar me vendosmëri veprimet provokuese nga forcat e jashtme, si dhe forcat separatiste të pavarësisë së Tajvanit”, shtoi e njëjta komandë ushtarake në një deklaratë të shkurtër.

Kina kreu stërvitje të ngjashme në fund të muajit të kaluar me Tajvanin që raportoi se 43 avionë kinezë kaluan vijën mesatare të ngushticës së Tajvanit, një zonë neutrale jozyrtare midis dy palëve.

Kina, e cila kurrë nuk ka hequr dorë nga përdorimi i forcës ushtarake për të vënë nën kontrollin e saj Tajvanin, ka kryer operacione të shpeshta detare dhe ajrore në det dhe në hapësirën ajrore pranë Tajvanit për tre vitet e fundit.

Në gusht, Kina u zhvendos për të zbatuar skenarët operativë të luftës pranë Tajvanit pas një vizite në Taipei nga (atëherë) Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Tajvani, i cili ka një qeveri demokratike, hedh poshtë me forcë pretendimet e Pekinit për sovranitet./albeu.com.


Shtuar 9.01.2023 08:46