Si pasojë e sulmeve amerikane në Iran që prej 22 qershorit, kanë humbur jetën 38 persona, ndërsa numri i të lënduarve ka tejkaluar 400, njoftoi Ministria iraniane e Shëndetësisë.
Të lidhura
None found
Zëdhënësi i kësaj ministrie bëri të ditur se mes personave të vrarë ndodhen edhe tre gra dhe një i mitur.
Viktima të tjera janë raportuar edhe pas goditjeve ndaj urave në Bandar Hamir, qytet portual në jug të Iranit. Agjencia iraniane e lajmeve IRNA, duke iu referuar të dhënave të Universitetit të Shkencave Mjekësore Hormozgan, raportoi se shtatë persona u vranë në këto sulme.
Në të njëjtën kohë, Kina dhe Pakistani u kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara dhe Iranit që të ndalin menjëherë luftimet dhe t’i rikthehen procesit të bisedimeve.
Gjatë një takimi në Shangai, ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, dhe homologu i tij pakistanez, Ishaq Dar, shprehën shqetësim për agravimin e situatës. Ata u bënë thirrje palëve të pezullojnë armiqësitë dhe të rifillojnë dialogun.
Ndërsa përplasjet mes Uashingtonit dhe Teheranit po intensifikohen, komuniteti ndërkombëtar po kërkon zbutjen e tensioneve dhe parandalimin e përhapjes së konfliktit në rajon.
