Serbia: Është arrestuar një qytetar nga Kosova në Merdarë për “krime lufte”

Autoritetet serbe njoftuan të shtunën se e kanë arrestuar një kosovar në pikën kufitare që lidh Serbinë me Kosovën, nën dyshimin për “krime lufte”.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Serbisë (MPB), Ivica Daçiq, tha se Tefik Mustafa u arrestua pasditen e 1 qershorit në Merdarë për “krime lufte kundër civilëve në Kosovë”.

Në një komunikatë për media, MPB-ja serbe theksoi se Mustafa, “si pjesëtar i UÇK-së [Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës], në deklaratat e dëshmitarëve përmendej si pjesëmarrës në rrëmbimin e policëve Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Millosheviq, më 19 qershor 1999 në rrugën Prishtinë – Gjilan, të cilëve u humbën të gjitha gjurmët”.

“Personi do të dorëzohet në Prokurorinë për Krime Lufte”, tha Daçiq, sipas komunikatës.

Haxholli: Mbase “temë propagandistike” e Serbisë
Më vonë, në një postim në Facebook lidhur me këtë rast, sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, tha se Serbisë “me gjasë po i duhet ndonjë temë propagandistike për zgjedhjet e nesërme në Serbi”, duke iu referuar zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 2 qershor në Serbi.

Duke e përmendur rastin “Panda”, ai tha se policët për të cilët Serbia thotë që janë zhdukur, “është shumë më e mundshme të jenë zhdukur, apo të jenë gjallë në Serbi, sesa të ketë ndodhur diçka e tillë në territorin e Republikës se Kosovës”.

Radio Evropa e Lirë u është drejtuar me pyetje Ministrisë së Jashtme të Kosovës dhe Policisë së Kosovës në lidhje me arrestimin e shtetasit kosovar, por nuk mori përgjigje.

Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës me dyshimet e pretenduara se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë 1998-99.

Më 17 prill, autoritetet serbe e arrestuan shtetasin kosovar Sadik Duraku, i cili ka nënshtetësi britanike gjithashtu, nën dyshimet “për krime lufte” më 1999 – akuza që u hodhën poshtë nga familjarët e tij.

Duraku u arrestua në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe një gjykatë serbe i caktoi masën e paraburgimit po atë muaj.

Familjarët e tij thonë se akuzat kundër Durakut nuk qëndrojnë, pasi ai, para luftës në vitin 1999, ka jetuar me familjen e tij në Angli.

Në fillim të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për, siç i cilësoi ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës./rel


Shtuar 1.06.2024 23:20