Marco Rubio, Sekretari amerikan i Shtetit, ka kërkuar durim për tranzicionin politik në Venezuelë, duke shprehur shpresën se ky proces do të përfundojë brenda “muajsh, jo vitesh”.
Të lidhura
None found
Këtë javë në Karakas pritet të mbahet raundi i parë i bisedimeve mes përfaqësuesve të presidentes së përkohshme Delcy Rodriguez dhe anëtarëve të opozitës. Takimi zhvillohet shtatë muaj pas rrëzimit dhe arrestimit të presidentit venezuelas Nicolas Maduro gjatë një operacioni ushtarak amerikan.
Raportimet bëjnë të ditur se diskutimet e para do të trajtojnë menaxhimin e pasojave të dy tërmeteve të 24 qershorit, të cilat lanë mbi 6 mijë viktima. Në fokus do të jenë gjithashtu forcimi i demokracisë dhe garantimi i të drejtave politike.
Delcy Rodriguez, e cila më parë mbante postin e nënpresidentes, mori detyrën e presidentes së përkohshme nën trysninë e administratës së Presidentit Donald Trump. Ky i fundit ka dhënë mbështetjen e tij për zhvillimin e dialogut.
Gjatë ceremonisë për nënshkrimin e një marrëveshjeje me Paraguain në fushën e energjisë bërthamore civile, Rubio u tha gazetarëve: “Është e qartë se nevojitet ende shumë punë për të hedhur themelet e zgjedhjeve”.
Duke folur për “progresin që po bëhet” në Venezuelë, ai shtoi: “Kërkohet këmbëngulje dhe pak durim. Sigurisht bëhet fjalë për muaj dhe javë, jo për vite”.
