Mohamed Salah ndodhet pranë kalimit te Trabzonspori, pasi klubi turk ka bërë përparim të konsiderueshëm në bisedimet me futbollistin egjiptian dhe përfaqësuesit e tij. Gazetari turk Yagiz Sabuncuoglu pretendon se marrëveshja tashmë është përfunduar.
Mediat turke raportojnë se drejtuesit e Trabzonsporit janë takuar me agjentin e Salahut dhe i kanë dorëzuar ofertën zyrtare yllit egjiptian.
Të lidhura
None found
Propozimi parashikon një marrëveshje me kohëzgjatje dyvjeçare, nga e cila Salah pritet të sigurojë një pagë prej afërsisht 17 milionë eurosh gjatë kësaj periudhe.
Sipas Sabuncuoglut, palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe para zyrtarizimit të transferimit duhet të zgjidhen vetëm hollësitë e fundit.
Raportimet bëjnë të ditur se Mohamed Salah pritet të mbërrijë në Stamboll të mërkurën, në orën 12:00, për të përmbushur procedurat përfundimtare të kalimit te Trabzonspori.
Në qendër të negociatave ishte edhe përfshirja e një klauzole të veçantë për të ardhurat nga produktet që mbajnë emrin e tij. Salah kërkoi të merrte një përqindje të shitjeve të produkteve të markës së tij dhe, sipas raportimeve, Trabzonspori e ka miratuar këtë kusht.
E njëjta çështje kishte bërë që më herët të dështonte transferimi i tij te Besiktasi, pavarësisht se pjesa më e madhe e kushteve ishte dakorduar.
Në rast se marrëveshja merr formë përfundimtare, Trabzonspori do të jetë skuadra e shtatë e karrierës së Salahut. Para këtij transferimi, ai ka qenë pjesë e Arab Contractors, Basel, Fiorentina, Roma, Chelsea dhe Liverpool.
