Putini është bandit”/ Senatori Rick Scott për REL: Kongresi duhet ta detyrojë Rusinë të mbajë përgjegjësi për luftën në Ukrainë

Teksa agresioni i gjithanshëm rus ndaj Ukrainës vijon, në Uashington po diskutohet mënyra për të ruajtur trysninë mbi Kremlinin, veçanërisht në një periudhë kur lidhjet mes Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut po forcohen.

Të lidhura

None found

Senatori republikan nga Florida, Rick Scott, i cili është anëtar i disa komisioneve të rëndësishme dhe një prej zërave më të fortë në Senatin amerikan për rritjen e presionit ndaj Moskës, i tha Radios Evropa e Lirë se, sipas tij, këto zhvillime duhet të shihen si pjesë e së njëjtës sfidë.

Radio Evropa e Lirë: Javën e kaluar ju u angazhuat publikisht dhe u bëtë bashkësponsor i Projektligjit për Sanksionimin e Rusisë të vitit 2026, të paraqitur nga senatori Lindsey Graham. A mendoni se Kongresi duhet ta miratojë tani këtë nismë dhe se presidenti Donald Trump do ta nënshkruajë atë?

Senatori Rick Scott: Pa asnjë dyshim. [Presidenti rus, Vladimir] Putin është bandit. Ajo që ai u ka bërë ukrainasve është e neveritshme, përfshirë vrasjen e grave, fëmijëve dhe gjysheve. Ne kemi detyrimin ta mbrojmë lirinë.

Ukrainasit meritojnë admirim të madh. Javën e kaluar ftova në Uashington dy komandantë ukrainas, të cilët shpjeguan arritjet e tyre në teknologjinë e dronëve dhe mënyrën se si po e zhvillojnë luftën. Është vërtet për t’u vlerësuar ajo që kanë bërë. Nëse dikush mbështet veprimet e Rusisë, atëherë duhet të përballet me sanksione. Kjo është e padiskutueshme.

Radio Evropa e Lirë: Ju jeni pjesë e disa komisioneve kryesore dhe drejtoni një nënkomision të Komisionit për Forcat e Armatosura të Senatit. Cili është argumenti kryesor që u përcillni kolegëve kur flisni për këtë projektligj?

Scott: U them se ndodhemi në një periudhë jashtëzakonisht të rrezikshme. Në vende të ndryshme të botës pushtetin dhe burimet i kanë marrë njerëz të neveritshëm.

Mjafton të shohim presidentin Xi në Kinë, Putinin në Rusi, ajatollahun [Mojtaba Khamenei] në Iran dhe Kim Jong Unin [në Korenë e Veriut]. Në hemisferën tonë kemi Raúl Castron [e Kubës] dhe, deri në janar, [ish-presidentin Nicolás] Maduro të Venezuelës. Këta janë njerëz që synojnë të shkatërrojnë mënyrën tonë të jetesës. Për këtë arsye duhet të veprojmë, të mbështesim miqtë tanë dhe të presim që edhe ata të bëjnë më shumë për mbrojtjen e tyre. Të gjithë duhet ta kuptojnë se po jetojmë në kohë të rrezikshme.

Nuk mund ta cilësojmë Rusinë si një shtet të tmerrshëm dhe, njëkohësisht, të refuzojmë ta mbajmë përgjegjëse. Kjo duhet bërë. I njëjti parim vlen edhe për Kinën komuniste. Duhet të heqim dorë nga blerja e çdo produkti kinez, sepse ndërsa ne shqetësohemi për Kinën, ajo po ndërton ushtrinë e saj. Megjithatë, qytetarëve amerikanë nuk po u shpjegojmë mjaftueshëm se duhet të ndalojnë blerjen e produkteve të saj.

Sipas meje, projektligji për sanksionet përbën një hap në drejtim të përgjegjësimit të Putinit. Unë dua që Ukraina të dalë fituese dhe Rusia të mposhtet. Ukrainasit janë në krahun e drejtë të historisë, ndërsa qeveria ruse është në krahun e gabuar.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se kolegët tuaj e kuptojnë se Ukraina është një aleate shumë më e fortë e Shteteve të Bashkuara se shumë vende të tjera të rajonit?

Scott: Besoj se Ukraina është një aleate shumë e mirë dhe ka dëshmuar se qytetarët e saj janë të gatshëm të luftojnë për lirinë. Ajo që të bën përshtypje te ukrainasit është vendosmëria për të vazhduar luftën edhe në kushtet më të vështira. Të njëjtin vlerësim kemi edhe për izraelitët, të cilët luftojnë për lirinë e tyre. Ata janë të gatshëm të sakrifikojnë sepse duan që fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre të jetojnë të lirë. Mendoj se heroizmi ukrainas respektohet në të gjithë botën.

Për të fituar mbështetjen e amerikanëve, duhet t’u thuash qartë se cilët janë të mirët dhe cilët janë të këqijtë. Mendoj se [presidenti i Ukrainës, Volodymyr] Zelensky e bëri këtë në fazat e para. Ndoshta pas muajve të parë mund ta kishte përcjellë më mirë këtë mesazh, por tani ukrainasit po dëshmojnë aftësitë e tyre.

Radio Evropa e Lirë: A e ka llogaritur gabim Vladimir Putin vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të vijuar ndihmën ndaj Ukrainës?

Scott: Patjetër. Mendoj se Putin besoi se mund të përfitonte nga Trumpi dhe nga evropianët. Nga evropianët ia doli të përfitonte. Por ai e nënvlerësoi përkushtimin e Trumpit ndaj lirisë në mbarë botën.

Shumë njerëz u habitën kur presidenti Trump u angazhua që Irani të mos pajisej me armë bërthamore. Po ashtu, ata u befasuan nga përpjekja e tij për ta mbajtur Kinën komuniste përgjegjëse dhe nga përballja me Maduron në Venezuelë. Bota është befasuar nga gatishmëria e Donald Trumpit për ta mbrojtur lirinë kudo në botë.

Radio Evropa e Lirë: Kohët e fundit ju pritët në Kapitol Hill komandantë ukrainas të njësive të dronëve. REL raportoi gjithashtu e para se Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje fillestare për bashkëpunim në fushën e dronëve, ndërsa një marrëveshje më e gjerë vazhdon të negociohet. Përse është ky partneritet i rëndësishëm nga pikëpamja strategjike?

Scott: Një element me rëndësi është krijimtaria e ukrainasve. Ata kanë ndërtuar dhe zhvilluar teknologji dronësh gjithnjë e më të avancuar.

Por edhe më mbresëlënëse është aftësia e operatorëve të tyre. Me një numër shumë të kufizuar njerëzish, ata kanë arritur të shkatërrojnë forca iraniane dhe ruse.

Një komandant ukrainas më tregoi se, me vetëm 2.000 njerëz, ka shkatërruar pajisje ushtarake ruse me vlerë mbi 15 miliardë dollarë. Një tjetër komandant, duke përdorur vetëm një pjesë të vogël të buxhetit ushtarak të Ukrainës, ka shkatërruar rreth 30 për qind të ushtrisë ruse. Ata e kanë arritur këtë përmes një mënyre shumë të zgjuar veprimi, armëve autonome, trajnimit të nivelit të lartë dhe përmirësimit të vazhdueshëm.

Operatorët e dronëve komunikojnë drejtpërdrejt me ekipet që zhvillojnë teknologjinë. Kjo u mundëson që përmirësimet të realizohen çdo ditë. Arritjet e ushtrisë ukrainase janë vërtet për t’u admiruar.

Radio Evropa e Lirë: A do ta nxisnit administratën amerikane që ta përmbyllë sa më shpejt marrëveshjen më të gjerë?

Scott: Kam komunikuar me zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes dhe kam folur edhe me presidentin për rëndësinë e bashkëpunimit me ukrainasit. Ajo që po arrijnë duhet respektuar dhe vlerësuar.

Nuk mendoj se shumë njerëz besonin se Ukraina do të vazhdonte të ekzistonte. Një zhvillim edhe më i rëndësishëm është se ukrainasit e kanë zhvendosur luftën në territorin e Rusisë dhe te populli rus.

Për një kohë të gjatë, rusët nuk përballeshin me asnjë pasojë. Tani, si rezultat i veprimeve ukrainase, pasojat po ndihen në ekonominë ruse dhe nga vetë qytetarët rusë.

Dallimi thelbësor është se ukrainasit nuk po synojnë vrasjen e civilëve rusë. Ata po godasin ushtrinë ruse, ndërsa Rusia po përpiqet ta ndalë Ukrainën duke vrarë civilë ukrainas.

Radio Evropa e Lirë: Ukraina është e shqetësuar edhe për ritmin e prodhimit të sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot. Presidenti Trump ka lënë të kuptohet se mund të jetë i gatshëm t’i japë Ukrainës licencë për prodhim, megjithëse sinjalet kanë qenë të ndryshme. Çfarë informacioni keni ju?

Scott: Nga bisedat me Shtëpinë e Bardhë kuptoj se ata janë plotësisht të angazhuar ndaj Ukrainës. Jam shumë i bindur se do t’ia sigurojnë Ukrainës armët e nevojshme, në momentin kur do t’i duhen.

Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët Iranin, Korenë e Veriut, Rusinë dhe Kinën. A mendoni se këto katër shtete kanë lidhje mes tyre?

Scott: Po, pa dyshim. Bashkëpunimi mes tyre është i dukshëm. Ata e urrejnë mënyrën tonë të jetesës, kapitalizmin dhe traditën judeo-kristiane. Synojnë të na shkatërrojnë dhe të kontrollojnë botën. Për ta arritur këtë, do të vazhdojnë të punojnë së bashku, siç kanë bërë deri tani. Duhet ta kuptojmë se liria jonë dhe aleatët tanë që besojnë te liria përballen me një kërcënim serioz.

Putini nuk beson te liria individuale. Njësoj mendojnë Xi, ajatollahu, Maduro, Raúl Castro dhe Kim Jong Un. Ata do të vazhdojnë bashkëpunimin për të shkatërruar mënyrën tonë të jetesës.

Radio Evropa e Lirë: A do të ishte mposhtja e Rusisë në Ukrainë hapi i parë i madh për frenimin e kësaj aleance më të gjerë autoritare?

Scott: Mendoj se ukrainasit kanë dëshmuar se diktaturat e korruptuara dështojnë dhe se në fund fiton liria.


Shtuar 5.08.2026 08:11

holiganbetİmajbet girişHoliganbetHoliganbetHoliganbetGrandpashabetturboslothızlıcasinohızlıcasinohızlıcasinoturboslotzenbetHoliganbetjojobetnakitbahiscasibommatbetsultanbeyli escortiptv satın alGrandpashabetAnkara escortjojobetcasibom girişAnkara escortcasibomjojobetJojobet GirişJojobet Giriş