Protestat në Tel Aviv, policia arreston të afërmit e izraelitëve që mbahen peng nga Hamasi

Dy të afërm të pengjeve izraelitë të rrëmbyer më 7 tetor u arrestuan gjatë një proteste jashtë selisë së ministrisë së mbrojtjes në Tel Aviv mbrëmjen e djeshme (26 mars).

Protestuesit ishin mbledhur për të shprehur zemërimin e tyre pas raportimeve të mediave se një delegacion izraelit që mbante negociata indirekte për marrëveshjen e shkëmbimit të pengjeve me Hamasin po largohej nga bisedimet në Katar pa një marrëveshje.

Policia izraelite në një deklaratë tha se i liroi protestuesit nga autostrada Ayalon e Tel Avivit, ku po bllokonin trafikun. Katër protestues u arrestuan për shkelje të rendit dhe pengim të shoferëve që qarkullonin me automjetet e tyre.

Një përfaqësues nga Lëvizja Pro-Demokratike izraelite që ishte përfshirë në demonstrata tha se dy nga katër të arrestuarit ishin të afërm të pengjeve.

Sulmi i Hamasit më 7 tetor vrau rreth 1200 izraelitë, me më shumë se 250 njerëz të marrë në Gaza si pengje. Izraeli beson se 99 persona mbahen ende në Rripin e Gazës, së bashku me trupat e 31 pengjeve të vdekur.


Shtuar 27.03.2024 14:28