Protestat antiqeveritare në Bangladesh, të paktën 50 të vdekur

Së paku 50 njerëz kanë vdekur në Bangladesh gjatë përleshjeve të ashpra mes policisë dhe protestuesve antiqeveritarë të dielën, sipas zyrtarëve dhe mediave vendëse.

Trazirat filluan kur liderët e studentëve thirrën protesta për të kërkuar dorëheqjen e kryeministres së vendit, Sheikh Hasina.

Gazeta e përditshme e vendit, Prothom Alo, raportoi se së paku 49 njerëz vdiqën në dhunën e së dielës. Kanali 24 raportoi për së paku 50 të vdekur.

Kryeministrja Hasina ka thënë se ata të cilët janë përfshirë në “sabotim” dhe në shkatërrimin e vendit në emër të protestuesve “nuk janë më studentë, por kriminelë”.

Partia në pushtet Awami League tha se kërkesa për dorëheqjen e Hasinas tregon se protestat janë marrë në kontroll nga partia kryesore opozitare e Bangladeshit, Partia Nacionaliste, dhe partia e ndaluar, Jamaat-e-Islami.

Të dielën, qeveria njoftoi pushim në gjithë vendin nga e hëna deri të mërkurën. Gjykatat do të mbesin të mbyllura për kohë të papërcaktuar. Shërbimet e internetit mobil u ndalën të dielën, derisa Facebook dhe aplikacionet për dërgimin e mesazheve, përfshirë WhatsApp, janë të paqasshme.

Ministri për Informacion dhe Transmetim i Bangladeshit, Mohammad Ali Arafat, tha të dielën se interneti mobil u ndalua për të ndihmuar në parandalimin e dhunës. Si përgjigje për protestat, autoritetet i mbyllën shkollat dhe universitetet në gjithë vendin, si dhe shpallën orë policore. Së paku 11.000 njerëz janë arrestuar në javët e fundit.

Protestat filluan muajin e kaluar kur studentët kërkuan të hiqet një kuotë, sipas të cilës, 30 për qind të punëve qeveritare u takonin familjeve të veteranëve që luftuan në luftën e Bangladeshit për pavarësi kundër Pakistanit më 1971. Pas përshkallëzimit të dhunës, Gjykata Supreme e vendit e uli kuotën në vetëm 5 për qind, por protestat kanë vazhduar duke kërkuar llogaridhënie për dhunën, për të cilën demonstruesit e fajësojnë Qeverinë, duke e akuzuar për përdorimin e forcës së tepruar.

Protestat janë bërë sfidë e madhe për Hasinan, e cila është lidere e Bangladeshit për 15 vjet. Në janar, ajo e fitoi mandatin e katër radhazi në zgjedhje që u bojkotuan nga kundërshtarët e saj kryesorë.


Shtuar 4.08.2024 16:26