Një skemë e re që po hartohet nga Komisioni Evropian synon t’u japë vendeve kandidate të Bashkimit Evropian disa përfitime ekonomike edhe para pranimit të plotë në union, me qëllim që të përshpejtohet zgjerimi dhe të nxiten reformat.
Sipas këtij projekti, shtetet kandidate mund të marrin në mënyrë graduale qasje në programet e financimit të BE-së, marrëveshje tregtare preferenciale, si edhe hyrje të pjesshme në tregun e përbashkët evropian, në varësi të ecurisë që tregojnë në reforma dhe në përafrimin me legjislacionin e BE-së.
Të lidhura
None found
Në dallim nga idetë e mëhershme, që parashikonin dhënie të disa të drejtave politike përpara anëtarësimit dhe që hasën kundërshtim nga vendet anëtare, qasja e re përqendrohet vetëm te përfitimet ekonomike, pa u njohur vendeve kandidate status i plotë politik brenda bllokut.
Kjo nismë ka marrë mbështetje më të gjerë politike, sidomos nga Franca dhe Gjermania, të cilat e konsiderojnë integrimin gradual si një mënyrë për t’i mbajtur vendet kandidate të përfshira në rrugën e reformave, edhe nëse anëtarësimi i plotë mbetet ende disa vite larg.
Komisioni Evropian synon që këtë kuadër ta sigurojë me mbështetjen e qeverive të vendeve anëtare në mbledhjet e Këshillit Evropian që pritet të mbahen në tetor ose dhjetor. Përfitimet do të jepen individualisht për secilin rast, në bazë të përparimit të çdo vendi kandidat.
Plani po del në një moment kur Bashkimi Evropian po përpiqet ta përshpejtojë zgjerimin, veçanërisht pas agresionit rus kundër Ukrainës, por pa lëshuar pe në kriteret e anëtarësimit. Një prej synimeve kryesore është që vende si Ukraina dhe Moldavia të mbeten të angazhuara në këtë proces, përmes përfitimeve konkrete gjatë rrugës drejt anëtarësimit.
Aktualisht, Bashkimi Evropian numëron nëntë vende kandidate. Mali i Zi shihet si më afër anëtarësimit, ndërsa Ukraina dhe Moldavia i kanë hapur negociatat. Në krahun tjetër, ecuria e Serbisë, Turqisë dhe Gjeorgjisë ka mbetur e ngadalësuar.
Paralelisht, Komisioni Evropian po përpunon edhe mekanizma të rinj mbrojtës, që do të mundësonin ndërhyrje nëse vendet që anëtarësohen në të ardhmen do të largoheshin nga standardet demokratike ose nga sundimi i ligjit pas hyrjes në BE, me synimin për të mbrojtur integritetin e procesit të zgjerimit.
Duke qenë se propozimet e mëparshme të Komisionit për “zgjerim të kundërt” nuk arritën të marrin mbështetjen e vendeve të BE-së, Komisionerja e Zgjerimit Marta Kos deklaroi se tashmë u takon qeverive të vendosin se si duhet të vazhdojë debati.
Mes drejtuesve që po shtyjnë përpara qasje alternative është edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili kishte planifikuar ta ngrinte këtë çështje në samitin e Këshillit Evropian të javës së kaluar.
Një diplomat i përfshirë në bisedime tha se zyrtarët po përpiqeshin të kompensonin një “dekadë të humbur” të reformës së zgjerimit, ndërsa në të njëjtën kohë po përballonin rezistencën e qeverive që kërkojnë garanci se vendet kandidate do të përfundojnë reforma kuptimplote përpara se të bashkohen.
Në fillim të këtij muaji, Kos i tha Politico-s se Komisioni po përgatit gjithashtu masa të reja mbrojtëse që do të “gërrmojnë” nëse vendet e ardhshme anëtare tërhiqen nga demokracia ose sundimi i ligjit pas anëtarësimit, si një tjetër përpjekje për t’u dhënë siguri qeverive se blloku mund ta përshpejtojë zgjerimin pa dobësuar standardet e veta.
