Parlamenti Evropian, përmes një rezolute të veçantë, pritet të kërkojë hetime të pavarura ndërkombëtare për parregullsitë që janë raportuar gjatë zgjedhjeve në Serbi. Për këtë rezolutë pritet të votohet të enjten, më 8 shkurt, gjatë një seance plenare të PE-së në Strasburg.
Në tekstin e draftit të rezolutës së dakorduar nga disa grupe politike në PE, për të cilin do të votohet, shprehet keqardhje për faktin se Serbia nuk ka siguruar zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve dhe normave ndërkombëtare. Aty po ashtu shprehet keqardhje edhe për refuzimin nga autoritetet e Serbisë që të pranojnë se kanë ndodhur parregullsi në zgjedhje.
Serbia ka mbajtur zgjedhjet lokale, parlamentare dhe krahinore më 17 dhjetor 2023.
“Bëjmë thirrje për hetime të pavarura nga ekspertë dhe institucione të respektuara ndërkombëtare për parregullsitë në zgjedhjet parlamentare, krahinore dhe lokale, me kujdes të posaçëm në zgjedhjet për Asamblenë e qytetit të Beogradit”, thuhet në tekstin e draftit të rezolutës.
“I bëjmë thirrje Komisionit Evropian që të shqyrtojë dërgimin e një misioni ekspertësh në Serbi, për të vlerësuar situatën dhe zhvillimet pas zgjedhjeve të fundit dhe të bëjë përpjekje për të lehtësuar një dialog shoqëror, i cili do të çonte deri te kthimi i besimit në institucione”, theksohet në draft-rezolutën.
Sipas tekstit të kësaj rezolute të propozuar, PE-ja ka dënuar mungesën e pluralizmit politik gjatë procesit zgjedhor, favorizimin e partisë në pushtet, Partisë Progresive Serbe (SNS) nga ana e mediave gjatë fushatës, fushatat e shumta të dezinformimit, në të cilat, sipas përpiluesve të këtij teksti, pos mediave pro-qeveritare në Serbi ishin përfshirë edhe struktura të Rusisë. PE-ja po ashtu dënoi edhe kërcënimet ndaj organizatave joqeveritare dhe gazetarëve të pavarur.
Ndër parregullsitë në zgjedhje në Serbi Parlamenti Evropian përmendi votimin e shtetasve nga vendet tjera, posaçërisht nga Bosnja e Hercegovina për zgjedhjet lokale, sjelljen në mënyrë të organizuar të votuesve në vendvotime nga partia në pushtet, shlyerjen e votuesve nga regjistri në disa raste, joshja e paligjshme e votuesve dhe forma tjera të shkeljeve të parimeve të zgjedhjeve të lira.
Deputetët e Parlamentit Evropian janë të mendimit se një vend si Serbia, që është kandidat për anëtarësim në BE, duhet të respektojë standardet themelore demokratike.
Në draft-rezolutë po ashtu dënohet edhe përdorimi i tepruar i forcave policore në Serbi ndaj protestuesve gjatë protestave kundër parregullsive në zgjedhje.
Po ashtu deputetët e Parlamentit Evropian përmes rezolutës, dënojnë edhe sulmet verbale nga përfaqësuesit e pushtetit në Serbi ndaj vëzhguesve nga BE-ja si dhe pohimet se vende të BE-së ishin përfshira në organizimin e protestave pas zgjedhjeve. Po ashtu është dënuar edhe gjuhën kundër BE-së që është përhapur në Serbi nga mediat e afërta me partinë në pushtet. Në tekst përmendet se kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, publikisht i ka falënderuar shërbimet e Rusisë për informata rreth protestave, të organizuara nga opozita në Serbi.
Parlamenti Evropian ka kërkuar nga Komisioni Evropian që të shqyrtojë edhe pezullimin e fondeve të BE-së për Serbinë nëse dëshmohet se autoritetet e Serbisë kanë qenë direkt të përfshira në manipulimin e rezultateve zgjedhore.
“Shprehim keqardhje për mungesën e kritikave të zëshme nga Komisioni Evropian, posaçërisht nga komisionari për zgjerim në një varg dyshimesh për mashtrime zgjedhore në Serbi dhe bëjmë ftesë që Komisioni të adresojë këto çështje që solli deri te dyshimet, pa vonesa”, u tha në tekst.
PE po ashtu kërkoi që edhe negociatat e anëtarësimit të Serbisë me BE-në të lidhen me reforma, përfshirë edhe me adresimin e problemeve me zgjedhjet. Pa këto, u tha në tekst, nuk do të duhej të vazhdojnë negociatat.
Partitë opozitare në Serbi kanë akuzuar Qeverinë për manipulimin e procesit zgjedhor dhe kanë organizuar protesta pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit. Nga BE-ja është shprehur shqetësim për raportet rreth parregullsive. Por, më kritik, duke kërkuar edhe masa, ka qenë Parlamenti Evropian i cili edhe i kishte dërguar vëzhguesit në zgjedhjet e dhjetorit në Serbi. Në Parlamentin Evropian ishte zhvilluar edhe debate rreth këtyre zgjedhjeve dhe tash pritet të miratohet edhe rezoluta. Qeveria e Serbisë i ka hedhur poshtë kritikat e eurodeputetëve dhe ka bërë akuza personale ndaj deputetëve që kanë folur për parregullsi në zgjedhje./rel