Një kukull me ngjashmërinë e Aleksandër Vuçiç dhe presidentit rus Vladimir Putin e cila është djegur në karnavalin e Kastelas, Kroaci ka zemëruar Serbinë.
“Zjarri” ishte pjesë e paradës që zhvillohet çdo vit në këtë pjesë të Dalmacisë, ku pjesëmarrësit djegin kukullat e personaliteteve të ndryshme.
Portali kroat Index ka shkruar për djegien e kukullave të liderit në rubrikën “Revista”. Në tekstin e tyre shkruhet se “trungu” i sivjetshëm përfaqësohej nga Vuçiç dhe Putin dhe përshkruhet se si ata “u ulën mbi gomarë me shprehje fytyre të zemëruar, e më pas u zhdukën në flakë”.
Pasi tabloidët nën kontrollin e presidentit serb u egërsuan për shkak të djegies së një kukulle me imazhin e Aleksandar Vuçiçit, ministri i Jashtëm serb e dënoi aktin dhe i dërgoi një notë proteste ambasadës kroate në Beograd. Ndërkohë, vetë Vuçiç ka folur për djegien e një kukulle me imazhin e tij, raporton index.hr.
“E pashë, ma dërguan para se të arrija në Nish. Dikush do të thoshte se është gjë e trishtueshme diegia e kukullave. Do të isha bërë xheloz po të ishte kukulla e dikujt tjetër nga Serbia”, tha udhëheqësi serb.
Sipas vlerësimit të shtetit serb, “djegia e një kukulle me fytyrën e Vuçiçit është një akt absolutisht i papranueshëm, i cili është në kundërshtim të plotë me përkushtimin e shprehur bashkërisht për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe përmirësimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës mes dyja vendeve”. Ndryshe, në karnaval u dogj edhe kukulla me imazh të presidentit rus, Vladimir Putin.