Pak përpara samitit të NATO-s në Ankara, sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, deklaroi se vendet europiane anëtare së bashku me Kanadanë po ecin në drejtimin e duhur për t’i çuar shpenzimet e tyre të mbrojtjes në të njëjtin nivel me ato të Shteteve të Bashkuara.
Të lidhura
None found
Në kryeqytetin turk, para nisjes së samitit dyditor të NATO-s më 7–8 korrik, Rutte u shpreh edhe se aleanca “duhet të vazhdojë të sigurohet se Ukraina do ta marrë atë që i nevojitet”, pas një tjetër sulmi shkatërrues rus në dhe rreth Kievit të hënën, ku humbën jetën të paktën 21 njerëz.
Samiti në Ankara pritet të shqyrtojë përparimin e 32 vendeve aleate në përmbushjen e objektivit të miratuar vitin e kaluar në Hagë, që parashikon shpenzimin e 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen deri në vitin 2035.
Duke qenë se disa shtete vetëm këtë vit arritën pragun e mëparshëm prej 2 për qind të PBB-së, Shtetet e Bashkuara kanë shtuar presionin ndaj vendeve evropiane që të paraqesin plane të besueshme për arritjen e objektivit të ri brenda një dekade.
Uashingtoni prej kohësh e ka qortuar Evropën për nivelin e ulët të shpenzimeve ushtarake, duke e përshkruar këtë si “përfitim falas” nga mbrojtja kolektive.
Rutte, i cili është përpjekur të mbajë marrëdhënie të afërta me Trumpin për të ruajtur unitetin e aleancës, tha se aleatët evropianë dhe Kanadaja “tashmë po investojnë rreth 4 për qind të PBB-së së tyre në mbrojtje dhe siguri”, ndërsa shtoi se kjo ka sjellë 258 miliardë dollarë investime shtesë në mbrojtje gjatë dy vjetëve të fundit.
Sipas Ruttes, kjo prirje tregon se 31 anëtarët e tjerë të NATO-s janë tashmë “në binarë për t’i barazuar shpenzimet e tyre të mbrojtjes me ato të Shteteve të Bashkuara”.
